Nëse ndokënd pretendon se muzika është Zoti që u buzëqesh njerëzve, në rastin e sonatës së Kreutzerit, Zoti duhet të ketë qeshur vërtet me të.
Madje, mirë e bukur, megjithëse intriga muzikore e zhvilluar nga Bethoveni, ashtu edhe rrëfimi letrar i konceptuar nga Tolstoi, sigurisht që nuk janë të përqendruara në tema kaq gazmore. Pra, ajo që shumë e quajnë thjesht “Kreutzer”, bashkon muzikën dhe letërsinë: Bethovenin dhe Tolstoin, dy gjigantët e padiskutueshëm të pasioneve të shprehura në artin universal.
Sonata për piano dhe violinë obligato, e shkruar në një stil shumë koncertant, thuajse si një koncert. Dhe në fakt është vërtet një dialog mes pianos dhe violinës në kushte të barabarta, diçka në vetvete revolucionare në atë kohë: atëherë violina nuk konsiderohej instrumenti kryesor në sonatat e pianos, si sonatat që Moxarti shkroi për këto vegla.
Piano dhe violinë: sfidë apo dashuri?
Kjo sonatë përmbys rregullat e njohura: e konsideruar ndër sonatat më të vështira për t’u interpretuar (sidomos duke pasur parasysh partiturën e violinës), ajo u jep të njëjtin identitet të dy instrumenteve dhe e bën këtë jo vetëm duke krijuar një kompozim të plotë, por duke qenë shumë më e gjatë se parametrat e kohës (rreth 40 minuta muzikë).
Bethoveni e zgjeron vizionin e tij në gjithçka që krijon. Kjo Sonatë është shembulli i vërtetë se sa shumë donte Bethoveni dhe sa ishte në gjendje të kapërcente kufijtë e paracaktuar në atë kohë, një element që është, në fund të fundit, tema kryesore e gjithë poetikës bethoviane.
Pra, një tërheqje magnetike mes pianos dhe violinës, që ndikon edhe tek publiku. Gjithashtu, duke u nisur nga titulli, me rrokje të ashpra, gati të inatosura, të ftohta si teh që errësojnë ëmbëlsinë e fjalës “sonatë”, e thirrur për të treguar gjininë e saj, por jo përmbajtjen e saj.
Sonata letrare e Leon Tolstoit
Shumë u frymëzuan nga kjo fuqi shprehëse në shekujt në vijim, por Leon Tolstoi ishte ai që i dha një rezonancë të vërtetë mbarëbotërore Sonatës, duke e çuar mitin e saj përtej mjedisit të muzikëdashësve. Novela (ose tregimi i gjatë) u botua rreth 80-vjet pas botimit të Sonatës, duke u shfaqur menjëherë sa e mprehtë, aq edhe dramatike, ashtu si pjesa muzikore, falë një proze me forcë të pashoqe që duket se e detyron lexuesin ta shijojë deri në faqen e fundit të një arkitekture letrare, që arrin të njëjtat lartësi bukurie të arritura tashmë nga Bethoven.
Siç ndodhi me Sonatën muzikore, edhe Sonata letrare u prit shumë vakët nga publiku: kritikët u mërzitën nga temat e trajtuara, aq skandaloze dhe të pazakonta, në mos skabroze, dhe Car Aleksandri III duhej të ndërhynte për të lejuar përhapjen e shtypit.
Këto janë shpërthimet e pasionit, një fuqi universale po aq e dashur, si për autorin gjerman, ashtu edhe për autorin rus, të cilët kanë ditur të vulosin bashkimin mes muzikës dhe shkrimit, duke bashkuar emrat e tyre në fenomenin artistik që do ta kujtojmë gjithmonë si ndër krijimet sublime të prodhuar ndonjëherë nga historia e njerëzimit.