Arratisje në botën e Mopasanit

Secili prej nesh thjesht krijon një iluzion të botës: iluzion poetik, sentimental, të gëzuar, melankolik, të fëlliqur ose të trishtuar, në varësi të natyrës së tij.

Është detyra e shkrimtarit ta riprodhojë besnikërisht këtë iluzion, me të gjitha aftësitë artistike që ka mësuar dhe që ka në dispozicion. Iluzioni i bukurisë, që është një harmoni njerëzore! Iluzioni i të shëmtuarës, që është një opinion i ndryshueshëm! Iluzioni i së vërtetës, kurrë i qëndrueshëm në vetvete! Iluzioni i të pavlerës, nga i cili kaq shumë ndihen të tërhequr! Artist i madh është ai që i imponon njerëzimit iluzionin e tij vetjak.

Realiste, apo fantastike, tekstet e shkrimtarit kanë lënë gjurmë në letërsi. Shkrimtarë të mëdhenj dhe tekste të shkëlqyera rizbulohen në çdo lexim. Kjo është arsyeja pse ata nuk vdesin kurrë. Lum ata që nuk i kanë lexuar ende. Mopasani është ende gjallë.

“Trashëgimi” mbetet një mundësi e shkëlqyer për të marrë pjesë në këtë arratisje letrare, në botën kaq unike të shkrimtarit. Një romancier i shkëlqyer, i cili përdor formën e shkurtër për të treguar historinë e zhgënjimeve të personazheve, që rëndom janë femra.
Normandia. Deti. Natyra me erë dhe e egër e Bregut të Alabastër.

Fëmijëria dhe rinia e Gi dë Mopasanit(1850-1893) kanë shtysën jetike të një ekzistence, që digjet në melankolinë e një mungese (ajo e babait të largët dhe indiferent), në praninë e dashur të nënës, Laure, dhe në miqësinë e vëmendshme të një miku të dashur familjar si Gustav Floberi, mentori i parë i madh i talentit të tij ende në lulëzim. Megjithatë, jetesa e Mopasanit u shënua shpejt nga vuajtjet fizike dhe mendore të shkaktuara nga sifilizi. Nëse në fillim sëmundja do t’i shfaqet shkrimtarit si vula e diversitetit të artistit bohem dhe antiborgjez, në vitet e fundit të jetës dhimbja e shkaktuar nga migrena shkatërruese dhe spektri gjithnjë e më i afërt i çmendurisë, do ta shqetësojë thellë, duke e izoluar gradualisht nga të tjerët.

Gi dë Mopasani mbahet mend mbi të gjitha për tregimet e tij të admirueshme.

Jeta është një e përpjetë. Ndërsa ngjitesh, shikon majën dhe ndihesh i lumtur; por kur arrin në majë, papritur zbulon tatëpjetën dhe fundin, që është vdekja. Rrëshqet ngadalë kur ngjitet, por shket shpejt kur zbret.

Kujtesa jonë është një botë më e përsosur se sa është universi: ajo rikthen jetën tek ata që nuk ekzistojnë më.

Fjala verbon dhe mashtron, sepse imitohet nga fytyra, sepse shihet teksa buron, mirëpo buzët i dëshirojmë dhe sytë joshin. Por fjalët e zeza në letrën e bardhë janë shpirt i zbuluar.