Nobelisti Mario Vargas Llosa (lindur më 28 mars 1936) mbetet një figurë qendrore në rilindjen e fiksionit amerikano-latin.
Në librat e tij gjejmë denoncimin e korrupsionit dhe një analizë të gjendjes së njeriut. Polemist i shkëlqyer, ka qenë gjithmonë i lidhur politikisht dhe shumë aktiv, duke marrë pjesë personalisht në beteja të ndryshme civile dhe politike.
Balzaku thoshte: “Unë nuk ndaj mendimet e personazheve të mi”, apo Pikaso: “I marr objektet dhe i hedh në telajo: pastaj ato sajohen me njëra-tjetrën”. Kjo vlen edhe për Llosan. Në fakt, Vargas Llosa është një autor superlativ, por jo vetëm, për faktin se e detyron veten t’u bindet temave dhe personazheve të tij, në mënyrë kaq të panatyrshme, saqë e ka të pamundur t’i imponojë lexuesit një rrjet ideologjik të njëanshëm dhe njëdrejtimësh të interpretimit.
Aftësinë për ta vënë veten në fijet më të afërta të tregimit, deri në atë pikë sa bëhet një rrëfimtar i gjithëdijshëm, një me larminë e karaktereve dhe moralit të personazheve, ia detyron edhe tiparit tjetër të veçantë: ironisë, e cila, larg të qenit një tallje apo humor i lehtë, është përkundrazi ajo shkëputja themelore narrative, ose ndryshe, ajo frymë themelore narrative e ngjitjes, që të lejon të mos dalësh kurrë, si Autor, në tregim si gjyqtar.
Padyshim, këto të dhëna nuk e plotësojnë listën e pafund të arsyeve të mira pse Vargas Llosa mund të konsiderohet një gjigant i shekullit XX. Ato janë, si të thuash, precipitati.
Paralelisht ecën edhe aftësia e pakrahasueshme për të kalibruar fjalitë, për t’i copëzuar personazhet në disa penelata, për të mbajtur së bashku të kaluarën dhe të tashmen në thurje në kufi me marramendjen, një aftësi ekstreme për të kombinuar Historinë me histori, një mjeshtëri të pakrahasueshme të fabulës dhe strukturës së përgjithshme narrative, një menjëhershmëri historie që nuk i dorëzohet kurrë lajkave të narcizmit estetik e kështu me radhë.
Vargas Llosa nuk e përsëriti kurrë të njëjtin libër. Madje, edhe në romanet e shkurtra apo esetë, ai gjithmonë e huton lexuesin, i cili, pasi është takuar me Vargas Llosan, mund të thërrasë: “Ky realizëm narrativ është shprehja më e saktë e realitetit, që pena na ka dhënë ndonjëherë. Një fabrikë e vërtetë kryeveprash”.