Çfarëdolloj autoriteti ai e konsideronte dhunë dhe, për këtë arsye, sugjeronte të refuzohej. Në të vërtetë, Tolstoi, me disa përjashtime, mund të quhet anarkist.
Ai nuk miratonte dhe nuk i druhej asnjë autoriteti. Shkrimtari i madh denoncoi hapur autoritetet ruse dhe kishën. Përkrahësit e tij u arrestuan dhe u internuan, ndërsa librat dhe artikujt e tij u ndaluan (“Sonata Kreutzer”, “Krishterimi dhe Patriotizmi”, “Ajo që besoj” etj.). Mirëpo, askush nuk guxoi ta prekte autorin.
Vetëm në fund të jetës u shkishërua, por edhe kjo u bë me gjysmë zemre – në asnjë kishë nuk u shpall asnjë anatemë ndaj tij. Si për çudi, ai kishte mbrojtje edhe në shoqërinë e lartë: për shembull, tezja e shkrimtarit, Aleksandra, ishte shoqëruesja e perandoreshës Maria Feodorovna, bashkëshortja e Aleksandrit III.
Në rrugëtimin e gjatë të jetës, ai ripërcaktoi disa herë problemet e autoritetit njerëzor dhe pushtetit shtetëror dhe sesi të dyja lidhen me moralin. Ai denoncoi çdo dhunë dhe një nga parimet kryesore të filozofisë së tij të vonë ishte “rezistenca jodhunë ndaj së keqes”.
Në këtë kuptim, ai ngjasonte me filozofët lindorë dhe taoizmin. Madje, parimi i tij frymëzoi edhe Mahatma Gandin, me të cilin Tolstoi madje korrespondonte. Gandi tha se idenë për “satyagraha” e kishte marrë prej tij – mosbindje civile jo të dhunshme, ose “rezistencë pasive”.
Tolstoi kishte një opinion të dobët për autoritetet ruse, por as shtetet perëndimore nuk i shihte në këndvështrimin më të mirë. Historia e Evropës, sipas Tolstoit, është një histori e sundimtarëve budallenj dhe të përbuzur, që “vrasin, plaçkitin dhe, më e rëndësishmja, korruptojnë njerëzit e tyre”. E njëjta gjë përsëritet me këdo që hipën në fron – vdekja dhe dhuna ndaj njerëzve. Diçka e tillë ndodhi në të gjitha “shtetet dhe republikat gjoja të lira kushtetuese”.
Nëse sundimtarët do të kishin qenë individë të virtytshëm dhe të moralshëm, atëherë mund të justifikohej nënshtrimi i mbarë popullit ndaj tyre. Megjithatë, në këndvështrimin e Tolstoit, në krye janë gjithmonë njerëzit më “të ligj, të pavlerë, të pamëshirshëm, të pamoralshëm dhe, më e rëndësishmja, mashtrues”. Të gjitha këto cilësi sikur të ishin një kualifikim i domosdoshëm për pushtet.
Në artikullin “E vetmja gjë që nevojitet për sa i përket pushtetit shtetëror” Tolstoi bën bashkë “Henrikun VIII e shthurur”, “keqbërësin Kromuell” dhe “hipokritin Karl I”… Gjithashtu, ai ishte shumë i pasjellshëm me carët rusë, madje Ivanin e Tmerrshëm e quan “të sëmurë mendor”, Katerinën e Madhe një “grua gjermane me sjellje të paturpshme” dhe Nikollën II “oficer husar me intelekt të kufizuar”. Tolstoi e shihte historinë e kombeve të krishtera evropiane, që nga Reforma, si një “inventar të pandërprerë të krimeve më të tmerrshme, të pakuptimta të dhunshme të kryera nga zyrtarët e qeverisë kundër popujve të tyre dhe të tjerëve dhe kundër njëri-tjetrit”.
Shtetin e shihte si një hajdut, që u hoqi qytetarëve të drejtën për të përdorur tokën e tyre. Madje, njerëzit u detyruan të paguanin për të drejtën për të qenë në tokë – ata u detyruan të paguanin haraç në punë ose para thjesht për të mbajtur frymën gjallë. Shteti e mbrojti këtë vjedhje si të drejtën e tij të shenjtë.
Dhuna kryhet ndaj një fëmije që në lindje, kur pagëzohet në fenë tashmë të paravendosur ose dërgohet në shkollë ku i mësojnë se qeveria e vendit të tij është më e mira që ekziston, pavarësisht nëse është qeveria e carit rus, e sulltanit turk ose qeveria britanike me politikën e saj [Joseph] Çambërlein dhe koloniale, ose qeveria e shteteve të Amerikës së Veriut me patronazhin e saj të trusteve të korporatave dhe imperializmit të saj. Kështu, Tolstoi përfundon: “Aktivitetet e çdo qeverie janë një varg krimesh”.
Një person i udhëhequr në jetë nga idealet e arsyes dhe virtytit, logjikisht duhet të heqë dorë nga çdo dhunë dhe të mos e mbështesë atë. Mirëpo, njerëzit thjesht i japin dhunës forma të reja. “Është njësoj si një njeri që mban një ngarkesë të padobishme […], që e sposton atë nga shpina në shpatulla, nga shpatullat te kofshët dhe pastaj përsëri në shpinë, pa qenë i vetëdijshëm të bëjë të vetmen gjë të nevojshme – ta flakë”.
Pra, Tolstoi besonte se të gjitha sistemet shtetërore thjesht duhet të zhdukeshin. Por, atëherë si do të ruhej rendi? Shkrimtari e pa përgjigjen te feja, te vlerat morale, te besimi (qoftë besimi te Krishti apo te Buda) dhe te humanizmi.
Sipas tij, “Nëse njerëzit do të ishin të moralshëm, nuk do të kishte nevojë të zbatohej kundër tyre forca që zakonisht ushtrohet nga çdo sistem shtetëror. Kombet evropiane kaluan nga një shtet më i dobët në një shtet më të fortë, kur adoptuan krishterimin; ashtu si arabët dhe turqit kaluan në një fazë më të lartë zhvillimi, kur u bënë muhamedanë dhe kombet e Azisë kur adoptuan budizmin, konfucianizmin ose taoizmin”.
Në të njëjtën kohë, Tolstoi ishte plotësisht i vetëdijshëm se kjo është e pamundur tani – dhe ai shpjegoi pse. Arsyeja, siç e pa ai, ishte se në gjirin e kombeve të botës së krishterë feja ishte dobësuar, “nëse nuk mungon fare” dhe, megjithatë, ajo është forca kryesore lëvizëse e çdo kombi. Për më tepër, besimi bashkëkohor i krishterë dukej fals për Tolstoin. Ajo kishte përvetësuar të gjitha llojet e “marrëzive” në rrjedhën e më shumë se një mijëvjeçarit dhe nuk ofronte më asnjë parim themelor të sjelljes, “përveç besimit të verbër dhe bindjes ndaj personave që e quanin veten kishë”.
Institucioni i sotëm i kishës plotësoi vendin që duhej të zinte një fe e vërtetë, që u jepte njerëzve një shpjegim të kuptimit të jetës.