Poezia e Pablo Nerudës

“Poezia erdhi të më kërkonte”

E përkujtojmë Ditën Botërore të Poezisë me lirikën e mrekullueshme të Pablo Nerudës, që përshkruan origjinën e frymëzimit poetik. Si lind një poezi? Si lind një poet? Poezia e mrekullueshme e Nerudës u përgjigjet të dyja këtyre pyetjeve dhe na fton në një udhëtim drejt shpirtit të qenies.

Si lind poezia? Si lind një poet? Origjina e frymëzimit poetik është një mister i jashtëzakonshëm, siç është magjepsja e fjalëve që janë të afta të na hipnotizojnë dhe të hapin horizonte të reja të ndërgjegjes. Në lirikën “Poezia”, Neruda gjurmon origjinën e frymëzimit të tij poetik dhe duket se i përgjigjet pyetjes: si u bëre poet?

Një kompozim shumë intensiv, një këngë në prozë që e jep imazhin e Poezisë si Zbulesë në tërë absoluten e saj. Në këto vargje poeti kilian arrin të shpërfytyrojë, përtej metaforës, fjalën që shpon heshtjen dhe zbulon kështu thelbin e pastër të Qenies.

Neruda ripërshkon momentin kur ai shkroi “vargun e parë të pasigurt” dhe duket se e nxjerr atë moment nga e përtejmja, duke e shndërruar në takim universal midis Njeriut dhe Poezisë, i cili këtu është personifikuar në një entitet pa fytyrë, po me aftësinë të prekë zemrën e njeriut, madje ta plagosë, ta zhuritë, ta shndërrojë në pasion të zjarrtë.

Poezia
Ndodhi në atë moshë… Poezia
erdhi më kërkoi. Nuk e di se
nga doli, nga dimri apo lumi.
Nuk e di si dhe kur,
jo, nuk ishin zëra, nuk ishin
fjalë, as heshtje,
por nga një udhë që më thërriste,
nga krahët e natës,
befas midis të tjerave,
mes flakëve të furishme.
ose teksa kthehesha vetëm,
ishte atje pa fytyrë
dhe më preku.
S’dija çfarë të thosha, buzët
nuk dinin si t’i emërtonin,
sytë ishin verbuar
dhe diçka më rrihte në zemër,
ethet ose krahëhumbur,
dhe e bëra vetë,
duke deshifruar
atë djegie
dhe shkrova të parin varg të pasigurt,
të paqartë, pa trup,
marrëzi e pastër,
urtësi e pastër
e atij që nuk di asgjë,
dhe befas pashë
qiellin
të zhveshur
dhe të hapur,
planetët,
plantacione që pulsonin,
hije të plagosur,
të mbushur
me shigjeta, zjarr dhe lule,
natën dërrmuese, universi.
Dhe unë, qenie minimale,
e dehur nga boshllëku i madh
yjor,
i ngjashëm, me imazhin
e misterit,
e ndjeja veten pjesë të pastër
të humnerës,
vërtitesha me yjet,
me zemrën hapërdarë në erë.

“Poezia” e Nerudës rrëfen një fakt autobiografik, e shndërron atë në universale. Pra, me të gjitha qëllimet, është historia e një lindjeje. Poezia i shfaqet Nerudës si një pasion i zjarrtë dhe e shtang, të paaftë të shohë e të flasë. Ai thjesht e prek dhe është pikërisht ajo djegia që e kthen në jetë: por kujdes, nuk e lind Poezia, është ai që lind nga vetja përmes shkrimit. Fjalët janë bërë rrahje, zbulimi i një Absolute ka marrë formë përmes Poezisë: misteri njerëzor ka gjetur një zë.

Në përshkrimin e origjinës së frymëzimit poetik, Neruda na jep, i pavetëdijshëm, imazhin më marramendës të gjerësisë së shpirtit vendosur përherë midis qiellit dhe humnerës. Pikërisht këtu përballë të kuptuarit të pafundësisë së universit, të vogëlsisë së njeriut: midis vdekshmërisë dhe pavdekësisë, midis Qenies dhe Asgjësë, midis zbrazëtirës dhe plotësisë, qëndron thelbi i Poezisë. Poezia është kjo pafundësi therëse ose, më saktë, përpjekja e pashtershme për ta shprehur atë.