“Letër babait” – marrëdhënia komplekse babë-bir

“Letër babait” e Franz Kafkës është një nga librat kryesorë në historinë e letërsisë. Një lexim i shkurtër, gjithsesi me mbresa të pashlyeshme që ngre një sërë pyetjesh me jehonë të qëndrueshme në kujtesë.

Është një shkrim i plotë, vuajtës, labirint (me vendosmëri kafkiane), ku përqendrohen shumë tema kyçe që shqetësojnë jetën e gjithsecilit: edukimi familjar, vështirësitë e rritjes, sa ndikon marrëdhënia me prindërit në aftësinë tonë për t’u afruar me të tjerët dhe të krijojmë marrëdhënie pak a shumë solide dhe të qëndrueshme.

Letra u shkrua në nëntor 1919 dhe iu dorëzua nënës, megjithatë, teksti nuk u dorëzua kurrë në duart e personit në fjalë. Babai i Kafkës vdiq në vitin 1931 dhe letra u botua pas vdekjes, pas vdekjes së shkrimtarit pragian, në vitin 1952, duke u bërë një klasik i letërsisë.

Letra e Kafkës i ngjan një shfrimi – dhe ndoshta pikërisht për këtë ka lindur. Djali derdh mbi babanë fjalë fyese, që na lejojnë të reflektojmë më thellë mbi vlerën edukative të kësaj figure prindërore.

Një njeri brilant, një shkrimtar si Franz Kafka u ndje i dërrmuar nga prania e të atit dhe paaftësia për ta kuptuar atë. Që në fillim, Kafka ofron një autoportret të pamëshirshëm të vetes, duke e përkufizuar veten si “të shqetësuar, i pavendosur, i sëmurë”, siç pasqyrohet në sytë e babait të tij, i cili në vend të kësaj ishte një njeri i fortë, energjik, i vendosur, me shëndet të plotë.

Herman Kafka ishte një tregtar i pasur, një homo novus, që kishte krijuar veten dhe, rrjedhimisht, lavdëronte një mënyrë jetese praktike dhe të qëllimshme. Herman e konsideronte veprimtarinë letrare të të birit si një përfytyrim të kotë, që e bëri atë të izolohej nga bota, në vend që të merrte pjesë aktive në marrëdhëniet e saj dhe të merrte përgjegjësi.

Kafka ndihet totalisht i dërrmuar nga madhështia tiranike e figurës së babait: kur rritet, ai refuzon të vazhdojë biznesin familjar, një fakt zhgënjyes për të atin, i cili e mban si djalë, por jo si trashëgimtar të denjë. Me një vetëdije të thellë, Kafka bën një akuzë kundër babait, që sot mund t’i japë besim disa teorive psikologjike: “Faji im buron nga ju”.

Shkrimtari paraqet një aktakuzë të vërtetë kundër të atit: mospërfillja e Kafkës buron nga fakti, se prindi i ka penguar gjithmonë zgjedhjet, pasionet, dëshirat. Kuptohet nga letra se Herman Kafka do të kishte dashur një djalë tjetër, sikurse duket e pamohueshme se edhe Franzi do të kishte dashur një baba tjetër.

Letra paraqet edhe problemin e moskomunikimit. Hidhërimi dhe shqetësimi që na ngjall leximi, është pikërisht për shkak të moskuptimit mes babë e bir, që qëndron si një mur betoni, një mur i pakapërcyeshëm mes tyre. Në një moment Herman Kafka i thotë të birit: “Unë të kam dashur gjithmonë, edhe nëse sjellja ime e jashtme ka qenë gjithmonë e ndryshme nga ajo e baballarëve të tjerë, pikërisht sepse nuk di të shtirem si të tjerët”.

Reflektimi i Kafkës është i gjerë dhe i qartë, synon të nxjerrë në pah kundërshtimin e karakterit (dhe fizik) mes tij dhe babait, por jo vetëm. Qortimi i babait nuk bazohet vetëm në stilin edukativ, por e gjen pikën qendrore në një “zbrazëti afektive” autentike. Kafka akuzon të atin, se i ka përçmuar gjithë ndjenjat, duke u tallur dhe fyer këdo për të cilin interesohej vërtet. Megjithatë, këtij apeli i kundërvihet një mur moskomunikimi: baba e bir i krijojnë dhimbje njëri-tjetrit, sepse nuk mund të kuptojnë arsyet e njëri-tjetrit.

Konkluzioni i letrës është i hidhur. Shkrimtari shpëton nga fantazma e të atit, që e përndjek edhe në jetë prania e tij autoritare, spektrin e mosmiratimit të tij, duke gjetur strehë në letërsi.

Librat janë i vetmi vend, ku Franz Kafka mund të shkatërrojë autoritetin e rëndë atëror: ata janë terreni, ku fjalët e babait nuk kanë asnjë peshë apo gjykim.

Në fund, Letra e Franz Kafkës duket se nuk i drejtohet më të atit, por atij. Kafka duket se e shfajëson veten nga paaftësia që i është futur, duke gjetur një rrugëdalje dhe shpëtim në shkrim. Megjithatë, ndjesia e dështimit e shoqëron deri në fund: edhe në krahasimin e fundit, shkrimtari bohem ruan, në formën e inatit, imazhin më të ndritshëm të të atit, ndërsa e vë veten në hije, sepse kështu e kishin mësuar.

Kafka është i sigurt se i ati, pavarësisht gjithçkaje, vazhdon të shohë papastërti tek ai dhe duket se i bën jehonë mendimeve të tij: “Nëse do të kishim qenë vetëm ne të dy në botë […], pastërtia e botës do të kishte përfunduar me ty dhe pisllëku do të kishte filluar me mua”.

Në thelb, gjithçka që i duhet një fëmije për t’u rritur i shëndetshëm dhe i fortë është të ndjehet i dashur dhe, mbi të gjitha, të pranohet për atë që është, përndryshe në jetë – nëse i ka munguar kjo siguri totale e dhënë nga familja – nuk do të ketë dashuri, duke u ofruar strehë pasigurive.

“Letër babait” paraqet ende një mjet efektiv për reflektim mbi marrëdhëniet edukative dhe problemin shumë aktual të konfliktit të brezave.