Edhe pse e habitshme, këtu e 2000 vjet më parë filozofia ngrinte pyetje për çështje që na kaplojnë ende sot. Një prej tyre ka të bëjë me lumturinë individuale dhe kolektive.
Gjithsekush do të jetë i lumtur, por çfarë është lumturia? Aristoteli e bëri këtë pyetje shekuj më parë. Në “Etika e Nikomakut”, filozofi grek e ndërton teorinë e tij mbi lumturinë dhe jetën e mirë. Lumturia është një koncept qendror në etikën e Aristotelit. Filozofi argumenton se lumturia është qëllimi përfundimtar i jetës njerëzore.
Çfarë nënkupton kjo? Çdo veprim njerëzor përbëhet nga mjete dhe qëllime. Për shembull, nëse qëllimi ynë është të hamë (jemi të uritur), atëherë mjetet do të jenë të gjitha ato veprime që bëjmë për të kënaqur nevojën tonë. Ato mund të mendojnë se çfarë duam të hamë, çfarë përbërësish na duhen, t’i blejmë, të gatuajmë, etj. Tashmë, sipas Aristotelit, ekziston një qëllim përfundimtar në jetën e njeriut, çka do të thotë se ka një pikë ku synon grupi i mjeteve dhe qëllimeve që ne kemi ndjekur përgjatë jetës.
Nëse e pyesim një të moshuar, nëse është i lumtur, përgjigja do të përfshijë të gjitha veprimet që ai ka kryer përgjatë rrugëtimit të jetës. Është e rëndësishme të theksohet, se për Aristotelin të rinjtë nuk mund të aspirojnë lumturinë siç propozon filozofi, pasi ajo mund të arrihet vetëm nëpërmjet praktikës dhe përvojës. Fëmijët dhe të rinjtë janë në një fazë më të hershme, ku dominon mësimi; sa më shumë përvojë të grumbullojnë, aq më shumë i afrohen arritjes së lumturisë, e kuptuar si qëllimi përfundimtar i jetës.
Edhe virtyti është një koncept i rëndësishëm, pasi duke e aspiruar atë mund të arrijmë lumturinë. Ai përfshin përmbushjen optimale ose të shkëlqyer të një funksioni ose veprimi, pra veprimet janë zakone të karakterit, janë ato veprime që na formojnë si njerëz të virtytshëm. Vetëm këto zakone të karakterit që mund të konsiderohen të mira apo të këqija.
Sipas Aristotelit, lumturia është një gjendje e mirëqenies së plotë që arrihet përmes praktikës së virtytit. Ajo është e plotë, sepse vetëm ajo është e nevojshme që jeta të ketë vlerë në vetvete. Virtyti arrihet me praktikë dhe zakon, pra është ushtrim. Për Aristotelin nuk lind i virtytshëm, por bëhet i tillë. Si rrjedhojë, për filozofin, lumturia nuk është diçka që arrihet rastësisht, por është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.
Virtytet etike, pra përsosmëria e karakterit tonë, janë në tension të vazhdueshëm midis vullnetit dhe arsyes. S’duhet harruar se për Aristotelin funksioni i njeriut që e dallon nga speciet e tjera është arsyeja ose mendimi. Veçse ne nuk jemi vetëm qenie të pajisura me inteligjencë, por kemi edhe dëshira ose pasione. Për këtë arsye është e rëndësishme të theksohet roli i zakonit në rrugën e virtyteve etike dhe lumturisë, pasi nuk do të krijojmë veprime ose një karakter të virtytshëm në një takim.
Kështu që, arsyeja duhet të rregullojë dëshirat për të arritur virtytin. Si ia dolëm? Nëpërmjet konceptit tjetër të Aristotelit: pika e mesme ose mesorja. Aristoteli argumenton se virtyti është ekuilibri midis dy ekstremeve. Përsosmëria e karakterit arrihet, kur gjendet harmonia e duhur midis këtyre ekstremeve, njëra prej të cilave është tepri dhe tjetra mangësi. Për Aristotelin lumturia është qëllimi përfundimtar i jetës njerëzore dhe arrihet përmes praktikës së virtytit, ndërkohë që virtyti arrihet përmes praktikës dhe zakonit.
Për më tepër, zgjedhjet racionale dhe inteligjente për ekzekutimin e qëllimeve formojnë një karakter të virtytshëm. Në të njëjtën linjë, lumturia përkufizohet si një gjendje ekuilibri dhe normaliteti, e shoqëruar me faktin se është thelbësore të jetosh në harmoni në një komunitet të virtytshëm.
Ndoshta, ky shpjegim është larg konceptit aktual, disi idhnak, të lumturisë. Për disa mund të bëhet fjalë për përfitimin e të mirave materiale, për të tjerë shmangien e disa ndjesive, siç është dhimbja. Aristoteli ka idenë e tij për lumturinë dhe, megjithëse kanë kaluar vite që kur e formuloi atë, ne mund ta konsiderojmë atë dhe mund të përfshijmë atë që duam, atë që na bën më të lumtur, në përkufizimin tonë të lumturisë.