E keni menduar ndonjëherë nga vjen emri i kontinentit Evropë? Për shekuj, historia e Evropës ka qenë pjesë magjepsëse dhe e qëndrueshme e mitologjisë dhe artit. Nga rrëmbimi i saj mitik nga Zeusi, me formën e demit, deri te lindja e qytetërimit Minoan, Europa ka rrëmbyer imagjinatën e njerëzve gjatë historisë.
Artistët e kanë përdorur historinë e Evropës, si një mënyrë për të krijuar vepra mahnitëse, që pasqyrojnë tërheqjen e qëndrueshme të kësaj figure mitologjike. Sipas mitologjisë, ajo u rrëmbye nga Zeusi në formën e një demi dhe u bë nëna e mbretit të parë të Kretës, duke shkaktuar qytetërimin Minoan. Mirëpo, historia e Evropës shkon përtej mitologjisë – ajo ka qenë një subjekt i përsëritur në art, duke frymëzuar disa nga pikturat dhe skulpturat më të bukura gjatë historisë.
Rrëmbimi mitik i Evropës nga Zeusi në formën e një demi
Europa ishte një grua fenikase me dy vëllezër, Ciliksin (i cili i dha emrin Cilicias në Azinë e Vogël) dhe Kadmusin, që solli alfabetin në Greqinë kontinentale. Zeusi u marros pas Evropës dhe sipas tregimeve të moçme të Kretës, që tregonin lidhjet e shumta të dashurisë së zotit me gratë, Zeusi iu afrua vajzës si një dem i bardhë i zbutur që iu bashkua tufës së saj. Europa, e magjepsur nga krijesa, iu ngjit në shpinë për t’i zbukuruar brirët me lule, por perëndia dinak shfrytëzoi rastin dhe doli në oqean.
Lindja e Qytetërimit Minoan
Zeusi kapërceu ujërat për të arritur në ishullin e Kretës, ku zbuloi identitetin e tij për të trembur Evropën. Ajo e pranoi atë dhe dhuratat e tij (një gjerdan i bërë nga Hepestus, një shtizë përherë e pranishme, madje edhe yjësinë në formën e demit). Nga bashkimi i tyre lindi djali i tyre Minosi, i cili u bë mbreti i parë i Kretës. Historikisht, nga ky njeri, filloi qytetërimi i parë evropian i minoanëve.
Figurë mitike si personifikimi i një toke
Grekët e lashtë shpesh i identifikonin tokat ose lumenjtë me figura femra. Pra, nuk është çudi, që në një nga himnet homerike emri Europa përdoret për të përshkruar bregun perëndimor të detit Egje. Për më tepër, Europa besohej të ishte vajza e perëndeshës së tokës Gaia dhe ishte e lidhur me konceptin e pjellorisë, prosperitetit dhe bollëkut. Si personifikimi i tokës, Europa përfaqësonte idenë se toka ishte një entitet i gjallë dhe frymëmarrës, i aftë për të ushqyer dhe mbajtur jetën. Lidhja e saj me pjellorinë dhe prosperitetin rrënjosej në besimin, se toka ishte në gjendje të siguronte për njerëzit që jetonin në të, për sa kohë që ata e trajtonin atë me respekt dhe kujdes. Historia e Evropës për rrëmbimin nga Zeusi simbolizonte gjithashtu idenë se toka mund të pushtohej dhe merrej nga forca të fuqishme. Ky aspekt i historisë së saj pasqyronte realitetin e shoqërive të lashta, ku luftërat zhvilloheshin për tokën dhe burimet pjellore.
Në art, Europa përshkruhej shpesh në mjedis baritor, i rrethuar nga kafshë dhe natyra. Në piktura, ajo është një grua e bukur, e stolisur me simbole të natyrës si lule, fruta dhe drithëra. Kjo theksoi lidhjen e saj të ngushtë me tokën dhe rolin e saj në sigurimin e bollëkut të të korrave dhe blegtorisë.
Rrëmbimi i Evropës në Art
Përdhunimi, ose rrëmbimi, i Evropës, është një motiv që përsëritet në art. Kemi vazo të lashta, skulptura mermeri dhe, natyrisht, piktura. Ashtu si me shumë histori nga mitologjia, shpesh shërbente vetëm si pretekst për të treguar një peizazh të mrekullueshëm, si te Klod Loreni ose Rembrandi. Piktura e Lorenit “Skena e Bregut me përdhunimin e Evropës” përshkruan një peizazh të bukur me një tufë bagëtish dhe një grup njerëzish që shijojnë peizazhin. Megjithatë, pas shqyrtimit më të afërt, shohim figurën e Evropës që rrëmbehet nga Zeusi në formën e një demi, i cili duket në sfond. Piktura është shembull i gjallë, se si artistët e kanë përdorur mitin e rrëmbimit të Evropës si një pretekst për të përshkruar peizazhe mahnitëse.
Piktura e Rembrandit “Rrëmbimi i Evropës” tregon momentin kur Zeusi po e çon Evropën në Kretë. Piktura kap tensionin dhe dramën e historisë mitologjike, me Evropën që shfaqet e frikësuar dhe e pambrojtur teksa ngrihet në ajër nga demi i fuqishëm. Puna e Rembrandtit është një dëshmi e tërheqjes së qëndrueshme të historisë së rrëmbimit të Evropës. Ajo ka shërbyer si burim frymëzimi për të krijuar vepra të fuqishme dhe të ngarkuara emocionalisht.
Interpretimi i gojëdhës së Evropës nga Gustave Moreau
Në “Rrëmbimi i Evropës” të Moreau shohim Evropën të shtrirë në shpinën e demit, si e dorëzuar dhe ka pranuar fatin e saj. Vepra e Moreau pasqyron magjepsjen romantike të shekullit të 19-të me mitet dhe legjendat e lashta. Gjithashtu, ajo tregon idenë e gruas fatale, një grua e bukur dhe e rrezikshme që i çon burrat në rrënimin e tyre. Përshkrimi i Evropës nga Moreau thekson bukurinë dhe sensualitetin e saj, si dhe cilësitë ekzotike dhe misterioze të historisë mitologjike. Si shumë artistë të tjerë, Moreau u tërhoq nga historia e Evropës si një subjekt i fuqishëm dhe i ngarkuar emocionalisht, që e lejoi atë të eksploronte temat e dashurisë, joshjes dhe fatit.