S’ka dyshim që miqësia, miqësia për individët, është një gjë e parëndësishme dhe leximi është një miqësi. Por të paktën është një miqësi e sinqertë dhe fakti që i drejtohet një të pajeti, një të munguari, i jep diçka joshqetësuese, gati prekëse. Për më tepër, është një miqësi e shpengua nga gjithçka që ka të bëjë me të metat e shoqërive të tjera.
Meqenëse ne qeniet e gjalla nuk jemi tjetër veçse ca të vdekur që ende nuk e kemi marrë shërbimin, të gjitha ato mirësjellje, ato kënaqësi paradhome që ne i quajmë nderim, mirënjohje, përkushtim, me të cilat përziejmë kaq shumë gënjeshtra, janë gjëra sterile dhe të lodhshme.
Gjithashtu, prej fillimit të një marrëdhënie simpatie, admirimi, mirënjohjeje, fjalët e para që themi, shkronjat e para që shkruajmë thurin rreth nesh fijet e para të një vargu zakonesh, të një mënyre të vërtetë të të qenit, që nuk do të mundemi kurrë ta heqim qafe në miqësitë e mëvonshme; për të mos thënë që, ndërkohë, fjalët e tepërta që kemi shqiptuar, mbeten si fatura që do të na duhet t’i paguajmë, apo që do t’i paguajmë edhe më shtrenjtë gjatë gjithë ekzistencës sonë, për pendimin që i kemi lënë të ikin pa i kundërshtuar.
Megjithatë, në lexim, miqësia kthehet papritur në pastërtinë e saj origjinale. Me librat, asnjë përshëndetje.
E kalojmë mbrëmjen me këta miq, sepse e duam me gjithë qenien tonë. Ata, të paktën, shpeshherë i lëmë kundër dëshirës. Madje, edhe kur i lëmë, nuk na vjen në mendje asnjë nga ato mendimet që prishin miqësinë: “Çfarë do ketë menduar vallë për mua? Mos vallë u tregova pa takt? A u pëlqeva vallë?”.
Nuk i druhemi as faktit, se mos harrohemi nga ndonjë tjetër. Të gjitha këto mundime miqësie zhduken në pragun e asaj miqësie të pastër dhe të qetë që është leximi. Për më tepër mban në vetvete edhe më shumë nderim…
Qeshim, siç shprehej Molieri, deri në atë masë sa na duket zbavitëse; kur ai na mërzit, nuk i trembemi faktit se do dukemi të mërzitur, ndërsa kur na pëlqen shoqëria e tij, e vendosim në vendin që i takon aq papritmas sa vështirë ta zinte më parë një gjeni a i famshëm. Atmosfera e kësaj miqësie të përkorë është heshtja, shumë më e dëlirë se fjala.
Një shpirt krijues di ta nënshtrojë leximin ndaj veprimtarisë së tij personale. Për të nuk është gjë tjetër veçse shpërqendrimi më fisnik, mbi të gjitha më frytdhënësi, sepse vetëm leximi dhe dija i japin shpirtit “sjellje të mira”.