Umberto Galimberti e përkufizon brezin “Z” si fëmijë të pakënaqur: të rinjtë nuk dashurohen më me veten, por me idhujt që do të donin të ishin në gjendje të imitonin.
Të rinjtë, edhe pse nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për këtë, janë të sëmurë. Dhe jo për shkak të krizave të zakonshme ekzistenciale që karakterizojnë rininë, por sepse një vizitor ngatërrestar, nihilizmi, endet mes tyre, depërton në ndjenjat e tyre, ngatërron mendimet e tyre, shkatërron perspektivat dhe horizontet, ua bjerr shpirtin, u pështjellon pasionet duke i bërë ato të akullta […]
Ne duhet të edukojmë të rinjtë që të jenë vetvetja, absolutisht vetvetja. Kjo është forca e shpirtit.
Por për të qenë vetvetja duhet ta mirëpresësh hijen tënde krahëhapur. Të rinjtë kanë nevojë sidomos në ditët e sotme, sepse nuk kanë më një traditë ku të mbështeten, sepse janë prishur pllakat ku ishin gdhendur ligjet e moralit, sepse kuptimi i ekzistencës ka humbur dhe po aq i pasigurt është edhe drejtimi i saj. […]
Në vend që të marrin drogë, nga të gjitha llojet e drogave, madje edhe duhan dhe alkool, është e nevojshme të merret në konsideratë nëse jeta ofron një hapësirë të mjaftueshme kuptimi për të justifikuar të gjithë përpjekjen që dikush bën për të jetuar. Nëse nuk jepet kjo ndjesi, nëse nuk ekziston as perspektiva për ta gjetur atë, nëse ditët pasojnë njëra-tjetrën vetëm për të shpërndarë zbrazëti dhe doza masive parëndësie, atëherë ne nxitojmë në kërkim të një anesteziku të aftë për të na bërë të pandjeshëm karshi jetës.
Në fakt, negativiteti që shpërndan nihilizmi, nuk ndikon në vuajtjen, që, në shkallë të ndryshme, shoqëron çdo ekzistencë dhe rreth të cilit dynden praktikat ndihmëse, por më tepër tek perceptimi i mprehtë i pakuptimësisë së vetë ekzistencës.