Xhon Kits (John Keats): një gjë e bukur është një gëzim i përhershëm

Poeti anglez Xhon Kits vdiq në Romë, në moshën njëzet e pesë vjeçare, më 23 shkurt 1821, duke lënë trashëgim fjalët e tij të pavdekshme.  Poeti, emri i të cilit u shkrua mbi ujë, jeton në këngën që nuk njeh fund dhe duket se zgjatet përgjithmonë, si një jehonë, duke u përhapur në distanca të paarritshme.

Kits vdiq në Romë, në shtëpinë në Piazza di Spagna, që ndante me Percy Bysshe Shelley, i sëmurë nga tuberkulozi që prej kohësh ia kishte dobësuar fizikun e brishtë, duke e penguar të përjetonte si duhet aromën e rinisë. Ai u varros në varrezat jokatolike të Romës, në një gur varri anonim, i rrethuar me lule, mbi të cilin qëndron mbishkrimi me vargje enigmatike dhe melankolike: “Këtu prehet dikush, emri i të cilit është shkruar në ujë”.

“Shkruar në ujë” ishin fjalët e fundit të Kits dhe metafora e ujit rikthehet me kuriozitet në poemën e tij kryevepër “Endemion” (1818), prologu i së cilës përfundon pikërisht me imazhin e një burimi “gjithnjë të gjallë me ujë të pavdekshëm”.

Uji, rryma që rrjedh papre dhe pushton e pastron gjithçka, shndërrohet në alegori të pavdekësisë: përmban kalueshmërinë e panta rei, gjithçka rrjedh dhe në të njëjtën kohë tregon se gjithçka kthehet, asgjë nuk humbet, ekzistenca është një rrjedhë e vazhdueshme.

Emri i Xhon Kits nuk është shënuar në gur varri, është shkruar vetëm në ujë: mbishkrimi na e paraqet përjetësisht të ri, të mbyllur në shkëlqimin sublim të vargjeve të tij që janë një odë për diellin, hënën dhe bukurinë e përjetshme të botës.

Kits e shkroi “Endemion” në 1817, kohë kur hija e vdekjes i qëndronte si ogur prej një kohe të gjatë. Prandaj, nuk është çudi që poema – e ndërtuar mbi katër këngë të shkruara në vargje dyshe me rimë të përputhur – flet për një udhëtim në mbretërinë e nëntokës. Protagonist është bariu grek Endemion, protagonist i mitit të famshëm. Thuhet se Selena, perëndeshë e Hënës, ishte e dashuruar me të. Në mitin e ripunuar nga Kits, perëndesha Selene merr emrin e Cynthia (emri tjetër i Artemis-Diana) dhe bëhet simbol i bukurisë së përsosur dhe të paarritshme: në fakt, ajo përshkruhet si një grua me bukuri të mbinatyrshme, bionde me flokë të derdhur. Ndërsa barinjtë kremtojnë Zotin Pan, mbrojtësin e tufave, në shpatet e malit Latmo, i riu Endemion qëndron mënjanë, i mbyllur në dhimbjen e tij të fshehtë. Perëndesha e Hënës, Cynthia, ka rënë në dashuri me të. I riu u mahnit nga vizioni i gruas hyjnore dhe është i gatshëm të zbresë në nëntokën për ta gjetur atë. Në aventurën e tij në mbretërinë e të vdekurve, bariu do të takojë Venusin dhe Adonisin: miti tregon se Adonisi ishte një gjahtar i ri i dashur nga perëndesha Venus, gjë që e bën historinë e tyre paralele me atë të Endemionit dhe Cynthia. Tani, në Elysium, Adonisi pret shpëtimin përmes puthjes së perëndeshës së dashuruar. Kuptimi i kërkimit të furishëm të Endemionit është arritja e bukurisë supreme, e simbolizuar nga Hëna. Heroi që shkon në kërkim të Muzës së tij, ne në fakt mund të shihnim një alegori të poezisë në Cynthia, bëhet në vazhdimësi një metaforë për njeriun që ndjek lumturinë e tij. Udhëtimi i Endemion përfundon me shndërrimin e tij në Zot: metamorfoza do t’i japë atij akses në bukurinë supreme, duke kapërcyer kështu kufijtë e ekzistencës njerëzore.

Poema përfaqëson përmbledhjen e mendimit të Kits. E vërteta është bukuri, bukuria është e vërteta: poeti anglez besonte në të vërtetën supreme të imagjinatës, që i lejonte njeriut privilegjin e transcendencës. Ai argumentoi, se, në fund të fundit, vetë mendjet tona i bëjnë gjërat që ata mendojnë “të shenjta dhe të përsosura”. Në më shumë se katër mijë vargjet e Endemionit, Xhon Kits përfshin këtë bindje, të përjetësuar në prologun e përsosur të poemës: Një gjë e bukur është një gëzim i përhershëm.

Xhon Kits zotëronte gjuhën jomateriale të poetëve: ai ishte në gjendje të mbyllte të pafundmen në vetëm një varg. Fjalët e tij nuk ishin të shkruara në një gjuhë njerëzore, ato u shkruan në ujë: në karakteret e ndryshueshme dhe kalimtare të gjërave që nuk shuhen kurrë, si në një vegim ëndërrimtar. Së fundmi, uji zbulohet për atë që është: vetë substancën e qenies.