Xhuzepe Ungareti – poeti që koleksiononte lumenjtë

Dikush pohon se jeta jonë ngjason me një lumë, domethënë se ajo ka burimin e vet, një rrjedhë pak a shumë të vrazhdë dhe, së fundi, një grykë përmbyllëse dhe të papërmbajtshme.

Megjithatë, të tjerë argumentojnë se jeta nuk është një lumë në vetvete, por një takim lumenjsh të ndryshëm, një udhëkryq mes përrenjve që vijnë nga vende të largëta dhe të paparashikuara. Kështu mendonte edhe një nga poetët italianë më revolucionarë të shekullit XX: Xhuzepe Ungareti (Aleksandri e Egjiptit, 8 shkurt 1888 – Milano, 1 qershor 1970).

Ndër vargjet e njërës prej poezive të para, të titulluar “Lumenjtë”, në fakt, Xhuzepe Ungareti kujton një nga rrymat që kishte kaluar deri atëherë jetën e tij si “mërgimtar” dhe “endacak”: çdo moshë ka lumin e vet.

Siç sugjeron vargu fillestar, poema u kompozua në vitin 1916 në një lokalitet afër rrafshnaltës Carso, Cotici, skena e betejave të përgjakshme midis italianëve dhe austriakëve gjatë Luftës së Madhe. “Isonzo që rrjedh ⁄ më zdrugoi / si guri i tij”, – shkruan Ungareti njëzetetetëvjeçar mes “rrobave të përbaltura të luftës”, duke na treguar përmes imazhit simbolik të një lumi, Isonzo, vuajtjen rraskapitëse të ndjerë në llogore. Disa rreshta më pas, ai deklaron: “Kam shqyrtuar ⁄ periudhat⁄ e jetës sime ⁄ Këto janë ⁄ lumenjtë e mi”.

Ai fillon të “koleksionojë” lumenj që para se të lindte: në fakt, të dy prindërit janë me origjinë nga Lucca dhe lumi që përfaqëson më së miri atë territor është sigurisht Serchio, për të cilin te “Lumenjtë” Ungareti do shprehet: “Ky është Serchio / me të cilin janë të lidhur / ndoshta prej dy mijë vjetësh / njerëzit e vendit tim / sikurse babai dhe nëna ime”.

Lumi i dytë që duket se rrjedh në jetën e Ungaretit është gjithashtu një nga më të gjatët: Nili. I lindur saktësisht 130 vjet më parë në Aleksandri të Egjiptit, Xhuzepe do të qëndrojë në qytetin egjiptian deri në moshën 24-vjeç: një periudhë kohore që do t’i shtojë atij ndjenjën e “mërgimit” të jetuar që në fëmijëri, një përvojë pa të cilën do të ishte e pamundur të rilexohej e gjithë lirika italiane në një mënyrë kaq të bukur dhe novatore.

Jeta e Ungaretit ishte shumë intensive, ai jetoi personalisht Luftën e Dytë Botërore, njohu tmerret e Luftës së Dytë, iu bashkua fashizmit dhe do të jetojë në një periudhë kur Italia do të duhet të përballet me trashëgiminë e rëndë të Musolinit.

Veprat e tij janë të shënuara thellësisht nga ngjarje të jetuara dhe gjithmonë do të vendosë një pjesë të përvojës personale në poetikën e tij.