Jung dhe arti në detin shprehës të të pandërgjegjshmes

Gjatë gjithë jetës së tij, Karl Gustav Jung (Carl Gustav Jung) e ka trajtuar pasionin për veprat e artit pamor me kërkimin psikologjik. Midis miqve dhe të njohurve të tij, nuk ishte sekret që ai pikturonte apo merrej me skulpturë, madje shpesh ua jepte si dhuratë veprat e tij, edhe pse gjithmonë refuzonte emërtimin artist.

Autodidak, ai kompozoi një numër të madh vizatimesh, skicash, akuarele, por edhe skulptura në gur, dru dhe basorelieve. Ndonëse nuk ka ndjekur asnjëherë kurse vizatimi, ai ka fituar aftësi të mëdha teknike, duke eksperimentuar vetë me materiale të ndryshme.  Përqendrimi i trupit dhe i mendjes racionale në kryerjen e një aktiviteti manual çliroi dhe stimuloi pavetëdijen e Jungut, duke i shndërruar në imazhe fantazitë më të pakuptimta që dolën nga hijet e së panjohurës.

Shpesh, gjatë seancave të psikanalizës me pacientët, ai i inkurajonte njerëzit të zhvendosnin ëndrrat dhe vizionet në vizatime, të cilat ata i përpunonin duke aplikuar artin si terapi psikologjike dhe duke aplikuar teknikën e shoqërimit të lirë, të quajtur Imagjinata Aktive nga Jung.

Marrëdhënia midis Jungut dhe artit modern ka qenë tejet e polemizuar. Ai kurrë nuk e mori në konsideratë artin modern, pavarësisht nga aspektet psikologjike dhe simbolike që përmbante, përkundrazi ai e konsideroi atë si një mjet për të zhvendosur në letër dhe për të nxjerrë në pah shprehjet e shpirtit dhe arketipat kolektive. “Edhe si psikolog, edhe si burrë, e kam shumë të vështirë të lidhem me artin modern”, – shprehet.

Jung e donte veçanërisht artin klasik, ndërsa nga autorët modernë ai vlerësonte veprat e simbolistëve Odilon Redon dhe Giovanni Segantini. Megjithatë, në vitin 1932, ai botoi një artikull mbi Pikason: ai i konsideronte krijimet e tij si jashtëzakonisht të ndryshme nga arti natyralist dhe pa në veprat e Pikasos tipare dalluese të pranishme edhe në pikturat e pacientëve të tij, duke diagnostikuar një tendencë skizoide dhe konfuze. U shpreh negativisht edhe për artin dadaist, i cili i dukej i pakuptimtë, shtrembërues dhe obsesiv.

Jung shihte në çdo ngjyrë korrespondencën me një gjendje të caktuar emocionale. Një linjë mendimi jo e panjohur për epokën moderne, por e avancuar më parë nga Gëte dhe e thelluar nga eksperimentet artistike të Kandinskit në esenë e tij “Shpirtërorja në art” . Duke marrë parasysh ngjyrat e gjendjeve reale emocionale dalë nga imagjinata aktive, ato mund të bëhen dritare në të pandërgjegjshmen dhe të ndihmojnë për të parë një botë misterioze, që i shpëton normalitetit jo vetëm të vetëdijes individuale, por edhe kolektive.

Nëse çdo ngjyrë korrespondon me një gjendje të veçantë shpirtërore, atëherë për Jung e kuqja lidhet me imazhin e gjakut, verës, aromës dhe dehjes. Bluja kujton ujin e pastër dhe të kthjellët, lidhet me hënën, argjendin dhe shpirtin, por është e lidhur edhe me mendimin abstrakt. E florinjta shpreh dritën e diellit, trimërinë, vetë hyjninë. E bardha ngjall intuitë, ndërsa jeshile ndjesi prekëse.

Krijimtaria artistike e ka shoqëruar Jungun gjatë gjithë jetës. Ai kishte një dashuri të veçantë për mandalat. Shumë prej tyre ndeshen në prodhimin e tij artistik, të përpunuara në kërkimin dhe paraqitjen e formave më të fuqishme arketipale, si kuadratura e hallkës. Gjatë analizës së pacientëve dhe, në veçanti, periudhave të çrregullimit psikik dhe kaosit të brendshëm, simboli i mandalës shpesh shfaqej si një arketip kompensues që sjell rend, duke demonstruar mundësinë e vendosjes së rendit.

Për këtë ai iu përkushtua me kujdes krijimit të mandalave, që korrespondonin me ushtrimin e tij, por mbi të gjitha me transformimin e tij psikik, krah për krah me përvetësimin e një ndërgjegjeje të re.

“Ne nuk mund të jetojmë pa u prekur nga e keqja. Mandalat janë përfaqësime simbolike të formimit dhe transformimit psikik, përmes të cilave hija nxirret në dritë dhe prej të cilave paraqitej evolucioni”.