Emri i Lord Bajronit të sjell ndërmend sakaq imazhin e detit të trazuar. Mund të jetë i vetmi, poeti simbol i romantizmit anglez, endacaku i detit të stuhishëm i përshkruar nga William Turner.
Një përparimtar faqe një pafundësie të mjegulluar, duke u paraqitur si kapiten i anijes së shpirtit të tij. Trazirat dhe dallgët, zhurmimi i valëve, erërat e stuhishme ngjallin një qenësi të pazakontë abuzimesh dhe skandalesh, siç qe e tija. Portretizimet e kohës na shpalosin një figurë të lashtë, një baron të ngurtë me veshje fisnike, por në të vërtetë ai ishte një njeri jashtëzakonisht modern, i udhëhequr gjithmonë nga impulset e pasioneve dhe nga vrulli i poetikës së tij.
Burimet historike portretizojnë një figurë të kundërt dhe të pakapshme: a është e vështirë të kuptosh dhe të përcaktosh identitetin e vërtetë të Bajronit, a ishte ai i mirë apo i keq? A ishte ai një njeri pasionant, apo një tradhtar i papenduar? Pa dyshim, ai ishte një poet i shkëlqyer, i cili fitoi famë sa ishte gjallë – dhe një njeri me një jetë aventureske, madje përfundoi në qendër të kronikave të shekullit të nëntëmbëdhjetë, pikërisht për shkak të veçantisë së të tij ekscentrike, duke u bërë përfaqësuesi më hiperbolik i vetvetes: heroi bajronian. Më se legjitime të mendosh, se edhe Bajroni ishte viktimë e atyre kronikave të kësaj bote që e lartësuan aq shumë: i lavdëruar, i nënçmuar, i shfrytëzuar, me sa duket ky është fati i të famshmëve.
Xhorxh Gordon Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje fisnike. Ishte një djalë me karakter të rrëmbyer dhe rebel, por njëherazi i aftë të kridhej në melankoli të tmerrshme. I pëlqente noti, sport ku shquhej, si dhe letërsia dhe poezia. Vargjet e para i shkroi kur ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeç, pak më vonë u përpoq të botonte me shpenzimet e veta një broshurë të titulluar “Vargje që arratisen”.
Në vitin 1809, ndërmori “Turin e madh”, zakon i ndjekur nga fisnikët e kohës, pa botën dhe fitoi përvojë jashtë vendit, në Itali dhe Evropën Jugore. Përvoja e udhëtimit i dha frymëzimin për “Pelegrinazhi i Çajld Haroldit”, poemën autobiografike në vargje që konsiderohet kryevepra e tij letrare.
Bajroni ishte një burrë i pashëm, tërheqës, i cili frekuentoi sallonet e Londrës dhe u dashurua nga gratë: madje rrëmbeu edhe zemrën e Caroline Lamb, zonjës më të lakmuar të kohës. Fama letrare i solli edhe më shumë popullaritet. Në 1813-1814, Bajroni vijoi prodhimin e vrullshëm të vargjeve, duke shkruar novela orientale në vargje, të titulluara më pas “Tregime turke”.
Anglezët e donin poezinë e tij, sepse propozonte një temë të re, atë të udhëtimit, duke e kombinuar me stilin klasik të melodramës. Fama letrare alternohej me ngjarje të stuhishme sentimentale. Megjithatë, duhet të shkojmë përtej peripecive të trazuara ekzistenciale të Lord Bajronit dhe të kujtojmë se ai ishte mbi të gjitha një poet, një poet i madh. Bajroni dinte si ta përpunonte lëndën poetike, arrinte t’i jepte formë ashtu siç donte. Shkruante dhe rishkruante, duke ruajtur një ritëm të pandalshëm pune: ai dinte të kalonte nga tragjedia në satirë me një shkathtësi unike, duke ndryshuar tonin, zhanrin, gjuhën.
Me suksesin e poemës “Pelegrinazhi i Çajld Haroldit”, ku publiku donte të pasqyronte jetën e tij, ai do të shndërrohej në më romantikun e romantikëve. Pas disa poezive dhe koleksionit të tregimeve të shkurtra ekzotike, Bajroni iu drejtua veprës së tij të fundit madhështore, e mbetur fatkeqësisht e papërfunduar: “Don Zhuani”, një histori dashurie burleske, në të cilën ai krijoi një personazh mahnitës.
Protagonisti ishte luftarak dhe idealist, i angazhuar politikisht, ndoshta më afër Bajronit të vërtetë dhe larg çdo maskarade melodramatike që i imponohej poetit si mburojë apo maskim për heroin bajronian tashmë të mitizuar.