Ishte një nga shkrimtarët e parë, që i zhvendosi lexuesit në xhunglat lindore. Rudiard Kipling ishte autor i romaneve të shumta, shumë prej të cilave kanë një mjedis indian, ku ai ishte në gjendje të ndërthurte talentin narrativ dhe angazhimin politiko-shoqëror.
Kipling tregoi imperializmin britanik, përmes një imazhi të pasur narrativ, që nuk i ka errësuar asnjëherë as trazirat negative të sundimit kolonial. Një nga titujt e tij më të famshëm është padyshim “Libri i xhunglës”, në të cilin ai rrëfeu aventurat e Moglit të rritur në xhungël nga ujqërit, pantera Bagera dhe ariu Balu. Në vitin 1907, ai mori çmimin “Nobel” për Letërsinë, në moshën vetëm 41-vjeçare.
Jozef Rudiard Kipling lindi në Bombei më 30 dhjetor 1865 në një familje të pasur me origjinë angleze. Në moshën gjashtë vjeç, ai dhe motra e tij u dërguan në Southsea, Angli, për të qëndruar me të afërmit për të marrë një arsim britanik. Më 1882, ai u kthye në atdheun e tij, Indi, ku mundi të përmirësonte aftësitë e tij si gazetar, duke shkruar për disa gazeta lokale. Së shpejti, gazetat i caktuan të riut Rudyard postin e korrespondentit në disa vende të Azisë Lindore, Evropës, Amerikës deri në Zelandën e Re dhe Afrikën e Jugut.
Në këto vite, ai filloi karrierën e tij si shkrimtar me botimin e përmbledhjes së parë me tregime të titulluar “Përralla të thjeshta nga kodrat”(1888), e cila u pasua shpejt nga vëllime të tjera me tregime. Në moshë madhore, pas një udhëtimi shumë të gjatë, që e çoi nga Kina në Shtetet e Bashkuara, Kipling u zhvendos përgjithmonë në Londër dhe filloi të gëzonte njëfarë suksesi me botimet e tregimeve të tij të udhëtimit.
“Libri i xhunglës” (1894-95), aventurat origjinale dhe magjepsëse të personazheve në një mjedis ekzotik, i siguruan autorit një vend mes klasikëve të letërsisë. Nëpërmjet personazheve dhe stilit të tij të veçantë, në gjysmë të rrugës mes rrëfimit dhe gazetarisë, ai arriti të shprehë fuqinë primitive dhe të egër të natyrës, të aftë për të luftuar të keqen e natyrshme tek njeriu.
Rudiard Kipling vdiq papritur në Londër më 18 janar 1936. Ai kishte krijuar dhjetëra romane, tregime të shkurtra dhe ese, duke krijuar një mitologji të qëndrueshme përrallash që do t’i mbijetonin vdekjes së saj. Romanet e Kipling vazhdojnë të kenë sukses të madh, edhe sot falë përshtatjeve të shumta për televizionin, kinemanë dhe teatrin.