Më 19 janar 1809, lindi në Boston Edgar Alan Poe, mjeshtri i historive të misterit dhe terrorit. Por krijimtari e jashtëzakonshme e Poe përfshin edhe poezi, përfshi të famshmen “The Raven”, protagonist i përshtatjeve të shumta.
Një mjeshtër vizionar i tregimeve të emocioneve dhe terrorit. Ai ishte djali i një emigranti irlandez, Davidit, me ëndrra për t’u bërë aktor dhe një gruaje me origjinë angleze, Elisabet Arnold, e cila vdiq kur Edgar i vogël ishte ende foshnjë. E gjithë ekzistenca e Edgar Alan Poe ishte e errët dhe misterioze, sikur një ogur i keq mbizotëronte mbi të: rrethanat e vdekjes së tij, e cila ndodhi papritur më 7 tetor 1849, nuk janë sqaruar ende. Ai iu përkushtua me pasion letërsisë që në moshë të vogël, por nuk pati shumë fat sa ishte gjallë.
Në poemën “Korbi”, mund të gjurmojmë manifestin poetik më autentik të Edgar Alen Poes. Në fakt, në këtë lirikë të gjatë janë të përmbledhura të gjitha temat e dashura për mjeshtrin e përrallës gotike: ka vdekjen, dhimbjen, ndjenjën e pashprehur të kalimit të kohës, që shfaqet si kërcënim për jetën e njeriut, ankthin për humbjen e personit të dashur dhe humnera e thellë e zbrazëtisë.
Autorësia e poemës u zbulua vetëm shumë më vonë, kur Poe recitoi poemën për një audiencë të madhe në banesën Waverley Place, ku shkrimtarja Anna Linch po mbante një sallon letrar javor. Intensiteti me të cilin njeriu i zbehtë, i veshur me të zeza dhe me sy të egër, recitoi çdo fjalë të “Korbit”, sugjeroi që ai duhet të jetë autori i saj.
Ishte i vetmi nga shkrimet, që mori vlerësim dhe një gjykim pozitiv nga publiku. Vite më vonë, profesori Henry Shepherd i Universitetit të Baltimores do t’i jepte Poes një vend në Olimpin e klasikëve, përkrah Miltonit, duke cituar pikërisht poemën “Korbi”. Ai e quajti atë një “përbërje të përsosur”, një mrekulli autentike të intelektit njerëzor, që ia vlen të përmendet në çdo epokë, në çdo gjuhë:
“Asnjë kompozim poetik në gjuhën tonë nuk mbledh një ndërthurje më të pasur, më harmonike simbolesh e rimash se kjo. Çdo zanore e vetme, çdo bashkëtingëllore e vetme, e hulumtuar me kujdes, e vendosur sipas vlerës së saj, i jep vargut një tingull madhështor, solemn, që shtrihet përtej fjalëve”.
“Korbi” është një poezi, por shfaqet si një histori në vargje. Ajo që shpaloset, varg pas vargu, është në fakt një histori reale me fillim, zhvillim dhe mbarim.