Hieronimus Bosh (Hieronymus Bosch) Një burim i pashtershëm mrekullie

Vështirë të gjesh në të gjithë historinë e artit një piktor aq enigmatik dhe misterioz, sa Hieronimus Bosh.

Së pari, sepse emri i tij sjell ndërmend skenarë djallëzorë dhe fantastikë, luzmuar me krijesa monstruoze, elemente të çuditshme dhe qenie groteske, të cilat zgjojnë habi dhe kuriozitet. Së dyti, sepse e gjithë vepra e tij është komplekse dhe e shumanshme, plot simbole e alegori dhe është objekt i interpretimeve nga më të ndryshmet. Dhe së fundi, sepse nuk dihet shumë për jetën e këtij artisti: ka pak të dhëna të sigurta biografike, ashtu siç janë të pakta veprat me autograf që na kanë ardhur, asnjëra prej të cilave nuk është e datuar.

Me pak fjalë, Bosh është një figurë e mbuluar me mister dhe, gjithsesi, ose mbi të gjitha për shkak të kësaj, tepër magjepsëse, aq sa renditet ndër Mjeshtrit e mëdhenj të Rilindjes. Bosh u dallua për aftësinë e tij të pazakontë krijuese.

Pikturat e tij, të mbushura me kaos, ankthe, magji dhe çmenduri, përfaqësojnë gjënë më të largët nga konceptet e hijeshisë, ekuilibrit dhe proporcionit. Pra, po flasim për një Rilindje shumë të ndryshme nga ajo klasike dhe harmonike që lulëzoi në Itali.

Talenti i Bosh manifestohet gjithashtu në aftësinë e pakrahasueshme për të përzier realitetin dhe halucinacionet, kthjelltësinë dhe çmendurinë. Bosh është me të vërtetë një piktor i groteskut, ëndërrimtar dhe fantastik, por ai është gjithashtu i aftë në paraqitjen e disa detajeve, veçanërisht atyre natyrore, në një mënyrë shumë realiste, shpesh thuajse shkencore.

Krijimet e Bosh janë mikrokozmose të jashtëzakonshme, universe të vogla drithëruese. Dhe nuk ka rëndësi nëse jo gjithçka duket e qartë ose e kuptueshme: është këndshëm ta lini veten të shpenguar të mbështjellë nga enigmat e shumta dhe figurat e fshehta që popullojnë veprat e tij. Në vitin 1953, historiani i artit Ervin Panofski shkroi: “Me gjithë kërkimet e shumta të zgjuara, të mësuara dhe pjesërisht jashtëzakonisht të dobishme kushtuar detyrës së “deshifrimit të Hieronimus Bosh”, nuk mund të mos besoj se sekreti i vërtetë i maktheve dhe fantazive të tij madhështore ka ende për t’u zbuluar. Ne gërmuam disa boshllëqe nëpër derën e një dhome të mbyllur; por sërish më duket se nuk e kemi gjetur ende çelësin”.

E pra, edhe sot puna e Bosh është si një udhëtim i pafund, një zbulim i vazhdueshëm, një burim i pashtershëm mrekullie.