Leximi i librave të Imre Kerteszit të jep ndjesinë e një takimi të vërtetë me një shkrim të punuar drejtpërdrejtë në gjuhë, në veprën e të cilit as shenjat e pikësimit, as sintaksa, as fjalët dhe nuancat e tyre, as ndajfoljet dhe përsëritjet e herëpashershme, aq më pak frymëmarrjen, shkrimtari nuk ia lë rastësisë.
Deri në fund do të shkruante kundër vdekjes dhe bashkë me të. Të gjitha shkrimet e autorit të vetëm fitues të çmimit “Nobel” të Hungarisë, Imre Kertesz, vërtiten rreth të vetmes eksperiencë: të mbijetuarit në Holokaust, mandej rindërtimi i jetës në gjirin e një shoqërie të shënuar nga trauma, shtypja dhe bashkëfajësia.
I lindur në një familje hebreje të asimiluar në Budapest në vitin 1929, Kertesz ishte vetëm 15-vjeç kur u dërgua në Aushvic dhe Bukenvald. Gjysma e familjes së tij vdiq në kampe. Megjithatë, ai mbijetoi. Pasi kaloi dy vjet në kampe përqendrimi, ai u kthye në Hungari në 1945 për të përfunduar shkollën e mesme. Më pas, vijoi një sërë punësh të rëndomta para se të bëhej shkrimtar dhe përkthyes me kohë të plotë, në moshën 24-vjeçare. Përktheu Fridrih Niçen, Sigmund Frojdin, Elias Kanetin dhe mendimtarë të tjerë të rëndësishëm në gjuhën hungareze.
“Romani i një të pafati” mbetet një nga kryeveprat. Në universin e tij spikat diçka nga dhuna e ndrydhur dhe e errët e Albert Kamysë, zgjuarsia e mprehtë e Samuel Beketit dhe vetmia vrastare, obsesive e Tomas Bernhardit. Pra, e një bote ku jeni të vetëdijshëm se mund të vriteni në çdo kohë, ashtu siç e dini se qielli është blu.
Kertesz prezanton një pasqyrë të pakëndshme për Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: ai refuzoi ta shihte Holokaustin si një tragjedi të jashtëzakonshme të hequr nga bota që e prodhoi atë. “Çfarë do të kisha përjetuar pa Aushvicin? Çfarëdo që të përjetojnë njerëzit e tjerë”, – tha Kertesz pasi mori çmimin “Nobel” në vitin 2002 me motivacionin “për një shkrim që argumenton përvojën e brishtë të individit kundër arbitraritetit barbar të historisë”.
Kertesz i mban lexuesit e tij në këmbë, duke shpërfillur pikat e orientimit të pranuara nga shoqëria, tabutë, heshtjet, ndërsa ruan autonomi ekstreme intelektuale dhe humor të zi. Një kritik i vendosur i diktaturës dhe i censurës që erdhi bashkë me të.
Nevoja për të shkruar diçka “interesante”, diçka tërheqëse për lexuesit ishte, për të, censura më e ashpër nga të gjitha. Ditarët, esetë e gjata dhe romanet janë dokumente të vetëanalizës së pamëshirshme, një jetë e dhënë për t’u ribërë me fjalë. Nuk pati jetë të lehtë, por nuk u dorëzua, duke përdorur armën më të fuqishme që njihte: fjalën.