Nobelisti e kaloi pjesën më të madhe të jetës në vendlindjen e tij, në Kajro, në rrugica, zyra dhe si banor i përhershëm i kafeneve, që ishin edhe burim frymëzimi.
Gazetari, filozofi dhe dramaturgu, i lindur më 1911 në Kajro, ku jetoi për nëntëdhjetë e pesë vjet, nga të gjithë shkrimtarët arabë, është më i njohuri dhe më i famshmi, si dhe i vetmi që ka fituar çmimin “Nobel” në 1988, me motivacionin “përmes shkrimit të pasur me nuanca – herë të kthjellëta dhe realiste, herë ndjellëse dhe dykuptimëshe, Mahfuz ka krijuar artin tregimtar arab, që gjen rezonancë në të gjithë njerëzimin”.
Autori nuk i lë asgjë rastësisë, ai ka një saktësi dhe një ekonomi të saktë. Pionier letrar dhe ikonë e letrave arabe, Mahfuz gjurmoi në rrugëtimin e jetës së tij një skicë të kënaqësive të përditshme dhe betejave politike të atdheut të tij të dashur dhe të botës më të gjerë arabe. Në krijimtarinë e tij ai festoi jetët e zakonshme egjiptiane, u tall me fenë dhe kritikoi aristokracinë.
Sa i përket rrëfimit të gjatë “Mbrëmje e bekuar”, është vepër e një pensionist, të vetmuar dhe të zemëruar, i cili gjurmon historinë e familjes së tij dhe atë, po aq të dhimbshme, të gruas që ka dashur dikur.
Duke qenë autor arab, ai i kapërcen kufijtë e traditës arabe dhe myslimane të cilës i përket, duke gjurmuar trashëgiminë dhe duke kërkuar identitetin si egjiptian. Autor i 34 romaneve, mbi 350 tregimeve të shkurtra, pesë dramave dhe dhjetëra skenarëve të filmave, Mahfuz ishte padyshim shkrimtari më i disiplinuar ndonjëherë.
Nagib Mahfuz ishte i çlirët në shprehjen e ideve, ai përfshinte politikën, historinë dhe filozofinë në romanet e tij. Po ashtu, mbuloi edhe tema si socializmi, homoseksualiteti dhe Zoti.
“Mbrëmje e bekuar” – Një histori klasike e Mahfuzit që eksploron temat e martesës përtej linjave klasore, shpirtërore dhe realitetet e ashpra të një jete të pasigurt. Personazhi kryesor në këtë roman udhëhiqet nga motoja: “Le të jetë jeta e mbushur me çmenduri të shenjtë deri në frymën e fundit”.