“Murtaja” e Kamysë, simboli i rezistencës kundër nazizmit

Albert Kamy është shkrimtari dhe filozofi francez, që ishte në gjendje të kuptonte tragjedinë e epokës së vet. Çmimi “Nobel” për letërsi në vitin 1957, lindi më 7 nëntor 1913 dhe vdiq më 4 janar 1960.

Shkrimi i “Murtajës” në formën e një kronike historike ishte një gjest shprese, që nënkupton vazhdimësinë njerëzore, një enë për të mbajtur kujtesën e luftës si një vaksinë kundër konflikteve të armatosura të ardhshme.

Romani lindi nga përvoja personale e shkrimtarit algjerian, por ishte gjithashtu një metaforë për luftën dhe pushtimin nazist.
“Goditjet, me të vërtetë, janë një gjë e zakonshme, por murtajat janë të pabesueshme kur të bien mbi kokë. Në botë ka pasur, në numër të barabartë, murtaja dhe luftëra; e megjithatë murtajat dhe luftërat i kapin gjithmonë njerëzit të papërgatitur”.

Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore dhe plagët ishin ende përvëluese, Albert Kamy qe në gjendje të tregonte, si askush nuk e kishte bërë deri atëherë, ankthin e thellë që lufta kishte rrënjosur në shpirtrat e miliona grave dhe burrave anembanë botës. Ajo që kishte ndodhur dukej e pamundur për t’u përfaqësuar, kështu që shkrimtari algjerian u mbështet në armën e tij më të fuqishme, imagjinatën, duke i dhënë jetë një prej romaneve më të bukur dhe më domethënës të shekullit të 20-të: “Murtaja”.

Në vitin 1947, kur doli në qarkullim libri, intelektualët rrekeshin të shihnin pushtimin nazist të Francës. Kështu, “Murtaja” u bë romani i pushtimit dhe i rezistencës. “Murtaja” është një roman për frymën kolektive të rezistencës, por edhe një roman që do t’i përcillet së ardhmes.

Kamy e dinte se libri i tij do të nevojitej sërish, shumë kohë pas vdekjes së tij, në një kontekst që ai nuk mund ta parashikonte apo imagjinonte, sepse ndryshe nuk mund të përfundonte kështu: “Ai e dinte atë që turma shpërfillte dhe çfarë mund të lexohet në libra, domethënë se bacili i murtajës nuk vdes dhe nuk zhduket kurrë, se mund të qëndrojë për dekada me radhë i përgjumur në orendi dhe i lirë, se pret me durim nëpër dhoma, në bodrume, në valixhe, në shami dhe në letra dhe se ndoshta do të vinte dita kur, fatkeqësia dhe mësimi i njerëzve, murtaja do të zgjonte minjtë e saj për t’i dërguar ata të vdisnin në një qytet të lumtur”.

Veprimi, i rrëfyer në vetën e tretë nga doktor Rieux, zhvillohet në Oran, një vend i dashur për autorin dhe njëherazi i zakonshëm, jo shumë i ndryshëm nga të tjerë. Kamy ka zgjedhur këtë “vend neutral” për të shtrirë më lehtë rrethanat dhe kuptimin, duke i universalizuar ato. Meqenëse “Murtaja” (sipas pohimit të vetë autorit) dëshiron të përfaqësojë në përmbajtjen e saj më evidente luftën e rezistencës evropiane kundër nazifashizmit, në realitet ajo përfaqëson të gjitha format e së keqes ndaj të cilave lufton njeriu: përfundon “me mishërimin” e vetë gjendjes njerëzore, “burgun”, ku gjendet i izoluar njeriu. Dhe qyteti i Oranit është në fakt i bllokuar, i ndarë nga bota, i izoluar, pas një epidemie murtaje.