Edhe pse është e vështirë të bësh një udhëtim nëpër historinë e letërsisë dhe të përqendrohesh vetëm në disa shkrimtarë, sot po ndajmë një zgjedhje të veçantë. Renditja e shkrimtarëve më të rëndësishëm në histori nuk është detyrë e lehtë. Mund të përpiqemi të vlerësojmë cilësinë e veprave të tyre, por në fund të fundit do të ketë gjithmonë një hapësirë, një ndikim, sipas shijes së atij që bën përzgjedhjen.
Në këtë rast, shkrimtarët janë përzgjedhur në bazë të cilësisë së veprave, popullaritetit, gjurmës që kanë lënë në historinë e letërsisë dhe ndikimit të tyre.
1. Dante Aligeri, Itali (1265-1321) – I vlerësuar për spiritualitetin e tij të madh, Dante është mbiquajtur “Poeti suprem” ose “Il Sommo Poeta”. Ishte prozator, teoricien letrar, filozof dhe mendimtar politik. Vepra e tij emblematike “Komedia Hyjnore” (1304-1321), është thelbësore për kalimin nga mendimi mesjetar në mendimin e Rilindjes dhe, natyrisht, një nga klasikët e letërsisë universale.
2. Uilljam Shekspir, Angli (1564-1616) – Siç shprehet Ben Jonson (shkrimtar bashkëkohor i Shekspirit): “Uilljam Shekspir nuk i përket një epoke të vetme, por përjetësisë” dhe kishte absolutisht të drejtë. Përveç poezive, ai shkroi 14 komedi, 10 tragjedi dhe 10 drama të tjera historike.
3. Migel dë Servantes, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në historinë spanjolle (1547-1616) – I njohur edhe si “burri me një dorë i Lepantos”, ai i dha jetë Don Kishotit, librit më të botuar dhe të përkthyer në gjuhë të ndryshme pas Biblës. Edhe pse shkroi një numër të madh romanesh, vepra e tij do të lidhet përgjithmonë me personazhin e tij.
4. Çarls Dikens, Angli (1812 -1870) – Konsiderohet një nga romancierët më të mirë anglezë të të gjitha kohërave falë “Oliver Tuistit” (1838), “Një këngë Krishtlindjeje” (1843), “Doriti i vogël” (1857). Këto janë disa nga veprat më emblematike të Dikensit, të cilat demonstruan luftën e tij për klasat sociale më të pafavorizuara të epokës viktoriane, kritikën e palodhshme ndaj varfërisë dhe klasave shoqërore dhe ndjeshmërinë e tij të madhe për njeriun. Nga ana tjetër, për shumëkush ishte autori që me më shumë sukses dhe emocion, diti t’i vinte fjalët, në formë përralle, në Krishtlindje.
5. Franc Kafka, Republika Çeke (1883-1924) – Vepra e tij është një ndërthurje e elementeve fantastike dhe realiste, që ndërgjegjësuan në një kohë kur tjetërsimi i natyrshëm në punë ishte në rend të ditës. Kështu që Kafka i bëri njerëzit të identifikoheshin me “Metamorfozën” (1915) me Gregorio Samsa, i cili u shndërrua në një insekt rrëqethës brenda natës. Si një ekspresionist dhe ekzistencialist i mirë, temat e krijimeve letrare lidhen me gjendjen e njeriut bashkëkohor, ankthin, fajin, burokracinë, zhgënjimin apo vetminë.
6. Uilljam Folkner, SHBA (1897-1962) – Fituesi i çmimit “Nobel” për letërsinë, Folkner ishte një nga krijuesit më të mirë të romaneve eksperimentale. Po ashtu, ai ishte babai i shumë autorëve bashkëkohorë, si Mario Vargas Llosa, Juan Rulfo, Ana Maria Matute apo ekzistencialisti i madh spanjollo-amerikan Juan Carlos Onetti.
7. Jorge Luis Borges, Argjentinë (1899-1986) – Borges është një nga figurat kryesore të letërsisë spanjolle dhe universale. Respekti i tij për bashkimin e të kundërtave me praninë argjentinase në tango apo thika ishte vetëm fillimi në shkrimin e një fëmije të lindur thuajse me një libër në dorë. Kështu lindi “Biblioteka e Babelit” (1941) dhe më shumë se 50 tregime, ese, poezi, të cilat i lejojnë lexuesit (qofshin matematikanë, filozofë, kimistë apo filologë) të hyjnë në labirintin e Borgesit për të admiruar jetën përmes syve të tjerë dhe secili të zhvillojë teorinë e vet në lidhje me të.
Fatkeqësisht, lista e shkrimtarëve më të rëndësishëm në histori u desh të ngushtohej, por ka shumë të tjerë. E vërteta është se autorët që shënuan një para dhe pas në letërsinë botërore janë mënjanuar. Pra, të mos harrojmë: “Magdalena” e Prustit, “Historitë” e Kamysë, “Uliksi” i Xhejms Xhojs, “Përrallat” e Poes. Dhe, sigurisht, shkrimtarët që koha i ktheu atje ku meritonin të ishin si Emili Dikinson dhe poezitë e saj intime, Virxhinia Ullf me dhomën e saj dhe Mari Shelli me Frankenshtajnin, janë vetëm disa nga më me ndikim në skenën letrare botërore. Pa u kthyer prapa në kohë, gjejmë edhe shkrimtarë si Filp Roth, Pol Auster, Murakami, Saramago, Zafon apo JK Rouling, shkrimtarja që shënoi zemrat e mijëra të rinjve, por jo vetëm, me universin e saj të veçantë.