Kam bindjen, se në shpirtin e njeriut jeton një energji e pafundme, jo vetëm morale, por edhe fizike, por mbi këtë forcë rëndon një kontroll i tmerrshëm: dashuria për veten, ose më saktë mendimi për veten, që gjeneron dobësi.
Mirëpo, sapo njeriu çlirohet nga ky kontroll, ai bëhet i gjithëfuqishëm. Do të doja të thosha, se mënyra më e mirë për t’u çliruar prej tij është dashuria për të tjerët, por kjo do të ishte e gabuar. Plotfuqishmëria është mungesa e ndërgjegjes, dobësia është mendimi për veten.
Njeriu mund të çlirohet nga ky mendim për veten vetëm nëpërmjet dashurisë për të tjerët ose përmes gjumit, dehjes, punës etj.; gjithë rrugëtimi i jetës së njeriut kalon në kërkimin e këtij çlirimi.
Nga buron forca e mendjemprehtëve, e kureshtarëve, e delirantëve apo njerëzve nën ndikimin e pasionit? Nga nënat, nga qeniet njerëzore, apo nga kafshët që mbrojnë fëmijët e tyre?
Përse nuk mund ta shqiptojmë saktë një fjalë, nëse mendojmë se si duhet shqiptuar saktë?
Përse dënimi më i tmerrshëm që ka shpikur njerëzimi është burgimi i përjetshëm? (Vdekja si dënim nuk u shpik nga njerëzit: në këtë rast, ata veprojnë si një dorë e errët e providencës).
Burgimi i përjetshëm, në të cilin njeriu privohet nga gjithçka që mund ta ndihmojë të harrojë veten, e lë atë me mendimin e përjetshëm për veten. Si mund ta shpëtojë njeriu veten nga kjo torturë? Ai arrin të shkëputet nga të menduarit për veten vetëm për një sekondë, kur sheh një merimangë ose një gërvishtje në mur.
Është e vërtetë se mënyra më e mirë, më në përputhje me fatin njerëzor, për të shpëtuar veten nga të menduarit për veten, është dashuria për të tjerët, por nuk është e lehtë të arrihet kjo lumturi.