Ndër “poetët e dritës” Jorgos Seferis (së bashku me Odiseas Elitis dhe Janis Ricos), zë një nga hapësirat më origjinale dhe më të sofistikuara në poezinë e shekullit XX.
Shtjella e dritës e gërshetuar në përflakjet e mëngjesit arrin në tokë e rrezatuar nga forca mitike, forma hyjnore dhe diell që lavdërojnë pastërtinë e botës. Kësisoj duket sikur na pëshpërit Seferis, me mënyrën poetike të grekut të pamposhtur:
“Kudo që udhëtoj, Greqia më bën të lumtur:
perde malesh, arkipelag, granit i zhveshur”.
Seferis, poeti endacak, diplomati, shkrimtari i qytetëruar, një mërgimtar me yllin polar të fokusuar pashmangshmërish në Mesdhe, ka qenë përherë i prirur të mirëpresë kujtimin e “shkëmbinjve të mbytur të kohës” dhe të dashurive kolektive.
Megjithatë, mes fatkeqësive, në rrafshin e pjerrët të historisë, shpresa për një të nesërme më të mirë ngrihet sakaq:
“Akoma edhe pak
dhe do të shohim bajamet të lulëzojnë,
mermerët që ndriçojnë nën rrezet e diellit,
detin që shpërthen në valë;
edhe pak,
le të ngrihemi edhe pak më lart”.
Seferis flet me historinë, rrëfen jetën e përditshme të zvargur nga era verilindore në plazhet rrezatuese të Hellespontit. Konceptim estetik që nuk i shmanget kurrë përvojës reale, që ushqimin e merr nga drita dhe e kundërta e saj: “drita engjëllore dhe e zezë”.
Poeti u shqua për vizionet e tij origjinale, të përfaqësuara me një stil hermetik dhe ëndërrimtar, i vëmendshëm ndaj kërkimit koherent të rregullave ritmike dhe “të shëndosha” të greqishtes moderne. Poet shumë i thellë dhe qytetar, me gjithë angazhimet e shumta diplomatike, ai nuk u shpërqendrua kurrë nga shkrimi i poezive dhe këngëve me intensitet të jashtëzakonshëm: në vitin 1935, ai kompozoi 24 tekste nën titullin “Ëndërrim” dhe po atë vit themeloi revistën “Letra të reja”, në bashkëpunim me shkrimtarë të tjerë.
Në Greqi lindi një “fillesë moderne” e poezisë, e krijuar kryesisht nga intelektualët e njohur si “Brezi i viteve ’30-të”. Seferis, Janis Ricos dhe Nikiforos Vretakos u dalluan veçanërisht për eksperimentimin e zgjidhjeve dhe pangjashmërive në vargun e lirë.
Eposi homerik, nga e cila tradita lirike helene nuk heq dot dorë lehtë, nuk u konceptua si diçka “pezull” në sfondin e një horizonti të humbur e të pakapshëm, por, përkundrazi, u perceptua si një thesar vlerash shumë njerëzore, absolutisht të verifikueshme në jetën e përditshme të grave dhe burrave modernë. Sipas Seferisit, hetimi i aventurës njerëzore, jehona e idealit të udhëtimit si takim dhe përballje mes popujve, janë një rrugë e detyrueshme dhe e pashtershme.
Tradita e Greqisë së lashtë është pusi i pashtershëm, nga i cili nxirret humanizmi, interpretimi i kontradiktave, zgjidhjet e krizave, perceptimi i së përjetshmes. Janë referenca bazë dhe diakroni komplekse, që shpjegojnë labirintin e ngjarjeve, këtë të fundit të ekspozuar nga Seferis me thjeshtësinë poetike të një artisti të paimitueshëm: “Dua të flas thjesht: e kërkoj këtë hir” (“Plaku në breg të lumit”)
Seferis, i njohur botërisht si intelektual dhe shkrimtar i jashtëzakonshëm, u nderua me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1963. Vitet e menjëhershme në vijim u jetuan larg vëmendjes: megjithatë, përmbledhja me titull “Tri poezi të fshehta”, mbetet thelbësore. Është momenti i reflektimit, studimit dhe rizbulimit intim të referencave letrare që i atribuohen Dantes dhe Eliotit, traditës së madhe filozofike herakliteane dhe dramës antike. Në vitin 1967 ndodhi grushti tragjik i kolonelëve (1967-1974), i cili prodhoi një dinamikë terrori dhe dhune në Greqi.
Seferis, i vëmendshëm ndaj lirisë si një vlerë thelbësore veçanërisht për krijimtarinë artistike e letrare, mbajti një fjalim plot pasion në BBC, më 28 mars 1969, kundër regjimit totalitar të vendosur në vendin e tij: për këtë gjest të guximshëm, përfaqësuesit e diktaturës e privuan nga titulli ambasador.