Antonio Gramshi (1891-1937), një nga intelektualët, filozofët dhe politikanët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
I urrej indiferentët. Indiferenca është apati, është parazitizëm, është burracakëri, nuk është jetë. Prandaj i urrej indiferentët. Indiferenca është peshë e vdekur e historisë. Indiferenca vepron fuqishëm në histori. Punon në mënyrë pasive, por vepron. Është fatalitet; është ajo mbi të cilën nuk mund të mbështetesh; është ajo që i prish programet, që përmbys edhe planet më të mira; është lënda e parë që mbyt inteligjencën.
Ajo që ndodh, e keqja që godet të gjithë, ndodh sepse vegjëlia heq dorë me dëshirën e vetë, lejon shpalljen e ligjeve që vetëm revolta mund t’i shfuqizojë, lejon njerëzit të ngrihen në pushtet, të cilët më pas mund të përmbysen vetëm me kryengritje.
Mes shmangies dhe indiferencës, pak duar, të pa mbikëqyrura nga asnjë kontroll, thurin kanavacën e jetës kolektive dhe masa e shpërfill, sepse nuk i intereson; më pas, duket se është fataliteti që pushton gjithçka dhe këdo, duket se historia nuk është gjë tjetër veçse një fenomen i jashtëzakonshëm natyror, një shpërthim, një tërmet, viktimë e të cilit janë të gjithë, kush e donte e kush nuk e donte, kush e dinte dhe kush nuk e dinte, kush kishte qenë aktiv dhe kush indiferent.
Disa qaraviten me keqardhje, të tjerë mallkojnë në mënyrë të turpshme, por askush ose fare pak pyesin veten: nëse edhe unë do të kisha kryer detyrën time, nëse do të isha përpjekur të pohoja vullnetin tim, a do të kishte ndodhur ajo që ndodhi? I urrej indiferentët edhe për këtë: sepse më bezdis ankesa e tyre si të pafajshëm të përjetshëm. I kërkoj secilit prej tyre të japë llogari për mënyrën se si e kanë kryer detyrën që i ka vënë jeta dhe i vendos përditë, çfarë kanë bërë dhe sidomos çfarë nuk kanë bërë. Dhe ndiej se mund të jem i patundur, se nuk duhet ta shpërdoroj keqardhjen time, se nuk duhet t’i ndaj lotët e mi me ta.
Gramshi shkroi në vitin 1917, kur Lufta e Parë Botërore ende nuk kishte përfunduar dhe tensionet politike e shoqërore ishin të forta, por fjalët e tij kanë një vlerë që e kapërcen kontekstin historik në të cilin u konceptuan.