Uilljam Bllejk (William Blake) ishte padyshim një gjeni. Ai përfaqëson një figurë kyçe të para-romantizmit anglez dhe, siç ndodh rëndom me gjenitë dhe njerëzit vizionarë, të pakuptueshëm, ai u përbuz dhe u shpërfill nga kritikët dhe bashkëkohësit, shumë prej të cilëve e konsideruan atë të çmendur.
Sot, Anglia e vlerëson krijimtarinë e tij si një nga kontributet më të mëdha në trashëgiminë kulturore, me “Këngët e pafajësisë dhe përvojës” të studiuara në shkolla. Bllejk, një mistik dhe një mendimtar radikal, jetoi, në vitet që çuan në Revolucionin Francez dhe pasojat e tij, në një kohë ndryshimesh të mëdha shoqërore dhe politike. Shpesh, krijimtaria e tij shqyrtonte marrëveshjet shoqërore dhe politike, duke argumentuar se sa represive ishin ato për pasionet natyrore njerëzore.
Në “Këngë të pafajësisë dhe përvojës”, me poezinë ai donte të shqyrtonte “dy gjendjet e kundërta të shpirtit njerëzor”, të cilat i pasqyron në dykuptimësi turbulluese në shumë nga poezitë. Bllejk i bëri librat me dorë dhe, si i tillë, ekzistojnë vetëm disa kopje. Meqenëse vepra e mëparshme e Bllejk ishte keqkuptuar kryesisht, poezitë u shitën privatisht miqve dhe koleksionistëve.
Megjithëse imazhet e Bllejkut tregojnë foshnja, kafshë dhe lule të lezetshme, ndërsa poezitë kanë ritme të thjeshta (duke iu referuar formave poetike popullore për fëmijët në shekullin e 18-të), “Këngët” nuk lexohen lehtë me një moral të thjeshtë. Me një pamje satirike të realitetit shqetësues, Bllejk paraqiti tema si varfëria, puna e fëmijëve dhe abuzimi, duke demonstruar natyrën represive të shtetit dhe kishës dhe duke argumentuar se fëmijët duhet të trajtohen si individë me të drejtat dhe dëshirat e tyre. Të gjitha këto ideale ishin jashtëzakonisht të reja dhe radikale dhe pasqyronin bindjet politike avangarde dhe vizionare të Bllejk.
Uilljam Bllejk konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e poetëve anglezë, së bashku me Kits, Shelli, Bajron dhe Kolldrixh. Interpretimet e skenave të famshme nga Bibla janë depërtuar me spiritualitetin, magjinë dhe përvojën personale të Bllejk. Mjafton të shikoni Biblën e tij! Kur ishte tetë vjeç, ai i tha nënës se kishte parë një pemë të mbushur me engjëj “duke gërshetuar çdo degë si yje”. Kjo shfaqje ndodhi në Peckham Rye, një nga hapësirat e gjelbra të Londrës juglindore. Ky ilustrim i referohet momentit në Dhiatën e Re para Ringjalljes së Jezusit.
Këtu mund të ndjehet një tension i pezulluar në ajër. Çfarë është ajo? Nuk e dimë, ashtu siç nuk dimë se çfarë vjen pas vdekjes. Bllejk ka lënë një trashëgimi të rëndësishme socio-letrare, ku dialektika midis kritikës sociale dhe synimit për një botë më të mirë është e fortë, një përplasje e bërë edhe më e prekshme dhe e dukshme nga skicat e tij.
“Një e vërtetë e thënë me qëllime dashakeqe, është më keq se çdo gënjeshtër e sajuar”.