Atdheu im është aty ku ka letërsi.
Të paktë janë ata autorë që kridhen në letërsi si Kish, faqet e të cilit janë të mbushura me pyetje teorike dhe praktike ngritur nga formalistët rusë të fillimshekullit XX: pyetjet e stilit ngritur nga Floberi dhe Xhoisi; ato të strukturave narrative përfshi Borgesin, Nabokovin dhe përkrahësit e Romanit të Ri dhe, së fundi, konflikti i brendshëm më kompleks: tensioni midis studimeve letrare dhe dokumentare dhe përgjegjësitë e autorëve ndaj Historisë.
Pas përpjekjeve fillestare poetike Danilo Kish iu përkushtua tërësisht prozës, duke u shpallur si një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore. Në krijimtarinë e tij spikat trilogjia e romancave të përqendruara në personazhin e Eduard Sam, që reflekton figurën e vërtetë të babait të shkrimtarit, një hebre i zhdukur në Aushvic.
Nuk është për t’u habitur që poezia është një pjesë e rishfaqur në prozën e Danilo Kishit, një breshëri instinktive: në fillim po përgatitesha të bëhesha poet, thotë ai në një intervistë, mandej, pasi lexova poetë dhe në veçanti hungarezin Endre Ady, parashikova dështimin dhe iu dorëzova prozës.
Për dikë si Danilo Kish, i mësuar me humbjet (duke filluar me atë parabolike të të atit) dhe peshën e historisë në jetë, zgjedhja mes poezisë dhe politikës është e lehtë. Çdo ideologji mbart hijen e saj të errët, çdo ideologji mund të jetë një kafaz, një kafkë e vetmuar dhe e thyer: poezia nga ana tjetër është liri ekstreme.
Nga njëra anë është humbja, vdekja, vrasja, nga ana tjetër kujtesa, imazhet, tingujt e larmishëm, të kënduarit. Nuk ka zgjedhje më të lehtë. Prej këndej ulërima kafshërore metafizike e flakur mbi historinë, politikën dhe shkencën e Danilo Kishit.
Ndërsa historia humbet në numrat e pacaktuar, letërsia mishëron vargjet: “Çfarë nënkuptojnë gjashtë milionë të vdekur, nëse nuk shohim një individ të vetëm, unik, fytyrën e tij, trupin e tij, vitet e tij dhe historinë e tij personale?”.
Kish është një kultivues i dyshimeve, ai na përsërit se aty ku poetët vazhdojnë të dyshojnë, duke përsëritur të njëjtat pyetje, asaj pa përgjigje (nga vijmë?, e kështu me radhë drejt heshtjes), ideologjia vret çfarëdolloj dyshimi dhe na jep një strehë të ngrohtë, nën të cilën të flesh dhe të harrosh pyetjet.
“Enciklopedia e të vdekurve” është një libër me mijëra vëllime, ku lejohen vetëm hyrjet që kanë të bëjnë me njerëz që nuk figurojnë në asnjë enciklopedi tjetër. Kjo do të thotë një masë e pamasë e të panjohurës, që e gjen veten të rrëfyer në një “amalgamë të jashtëzakonshme të koncizitetit enciklopedik dhe elokuencës biblike”.
Vepër fantastike, por që ka një homolog të keq në realitet: pranë Solt-Lejk-Sitit, në tunele të gërmuara në shkëmb, të dhënat e më shumë se tetëmbëdhjetë miliardë njerëzve mbahen nga marmonët. Kjo marrëdhënie e tërthortë, thuajse e ekzaltimit të ndërsjellë, midis fantastikes dhe kronikës, gjendet edhe në tregime të tjera të këtij libri.
Sipas autorit: “të gjitha tregimet në këtë libër lindin, pak a shumë, nën shenjën e një teme që unë do ta quaja metafizikë, që nga koha e Gilgameshit, çështja e vdekjes ka qenë një nga temat obsesive të letërsisë…”.
“Enciklopedia e të vdekurve”, një vepër e përjetshme ku tregohet me detaje absolute jeta e atyre që nuk kanë hyrë në histori. Çdo jetë njerëzore është një luftë për të kujtuar atë paraprijësen, megjithatë e kundërta mund të duket e vërtetë.
Vdekja vjen, përgjatë rrugës së njohur që të gjithë marrin për të shkuar në shtëpi çdo natë, dhe për të ajo rrugë është një rrugë e panjohur.
Qeniet njerëzore janë ata që kanë kujtesë, ata që kultivojnë kujtesën. Sa i përket vdekjes, ajo është një gjuhë e papërkthyeshme që hap letrat.