Marsel Prusti – një jetë në kërkim të kohës së humbur

Përmes të shkruarit Marsel Prusti përballet me përkohshmërinë e jetës dhe sfidon humnerën e vdekjes, duke përdorur si mjet pavdekësinë e artit. Një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë evropiane, Prusti e shndërroi ringjalljen e kujtesës si mjet identiteti në formë arti. Dekadentizmi është vetëm një aspekt i letërsisë së Prustit, që bazohet në analizën dhe rrëfimin e kohës dhe kujtesës, dy koncepte të paqëndrueshme, por thelbësore për t’i dhënë kuptim udhëtimit të individit në tokë.

Cikli monumental me shtatë vëllime “Në kërkim të kohës së humbur”, emërtuar nga vetë Prusti si një katedrale gotike, me shumë trupa anësorë dhe zona të hijezuara, mund të konsiderohet një kaleidoskop gjigant njerëzish dhe ngjarjesh të filtruara dhe të “sistemuara” nga rrjedha e kohës.

Në idenë e Prustit, realiteti formohet vetëm në kujtesë, sepse, duke iu referuar Shën Agustinit, kujtesa është i vetmi mjet i aftë për të kapur transformimet që koha u shkakton gjërave dhe njerëzve. Pra, ruajtja e kujtesës, nënkupton ruajtjen e identitetit. Për këtë arsye, koha e brendshme e Prustit kujton edhe kohën subjektive të teorizuar nga filozofi Henri Bergson, kushëriri i tij, me të cilin kishte më shumë se një shkëmbim idesh; jo rastësisht, në shtatë vëllimet përmenden shumë pak data, sepse çdo individ ka ndjesinë e kohës vetjake në lidhje me të njëjtat situata dhe koha shtrihet, gërshetohet, shkrihet, ashtu si orët e Salvador Dalisë përjetësuar në “Këmbëngulja e kujtesës”; kujtesa e vetëdijshme kujtohet dhe ndryshohet pjesërisht nga veprimi i pavetëdijshëm i ndonjë ndjesie (shija e të famshmes madeleine (kujtesa e pavullnetshme)). Pra, një proces irracional, rreptësisht personal, luante në alternimin midis tensionit psikologjik dhe paparashikueshmërisë së psikikës njerëzore.

Stili i Proustit është pushtues, i rafinuar, një simfoni fjalësh pëshpëritëse, që i bëjnë librat e shkurtër të duken shumë të gjatë dhe ku çdo fjalë ka arsyen e vet të ekzistencës; asgjë nuk është e tepërt, mbiemrat, metaforat, hiperbolat, fjalitë e gjata rastësore, secili element kontribuon në ndërtimin e një arabeske në dukje labirint, në realitet funksional për paraqitjen bishtnuese të kohës së brendshme Sepse kërkimi i kujtesës bëhet një formë arti, përgatitore për formën më të rëndësishme të artit, domethënë kërkimin e vetvetes.

Megjithatë, mbetet për protagonistin – një lloj alter egoje e vetë autorit – kënaqësia e ëmbëlhidhur e rikujtimit të një epoke, duke kompozuar një afresk social plot faqe frymëzimi arti, kritikë letrare dhe estetike, të cilat e bëjnë Prustin një shkrimtar “absolut”, që figurën njerëzore e ngre në nivele bukurie kontradiktore dhe vargje të krijuara nga rrallëkush.

Shkrimtari donte të krijonte një vepër universale, ku çdo lexues të mund të njihte veten dhe jetën e tij.

Prusti vdiq më 18 nëntor 1922, 100 vjet më parë, por sipas fjalëve të tij ai nuk vdiq kurrë. Përmes shkrimit ai na mësoi se “vdekja nga shpërbërja nuk është kurrë e plotë dhe as absolute”. Sepse ka diçka të pashndërrueshme, diçka absolute, por të pakapshme për inteligjencën njerëzore, diçka që ekziston jashtë kohës, e çliruar përgjithmonë nga rendi i kohës, theksonte autori. Ndoshta nuk ekziston vdekja për sa kohë ka letërsi.