Khalil Gibran

“Unë nuk jam as artist, as poet.
I kam kaluar ditët duke shkruar dhe pikturuar, por nuk jam në sintoni me ditët dhe netët e mia.

Unë jam një hije, një hije që përzihet me objektet, por nuk ndërthuret kurrë me to.
Unë jam një hije, dhe në hije është vetmia, uria dhe etja ime.

Fatkeqësia është se hija, realiteti im, është i etur të dëgjojë dikë tek thotë: Ti nuk je vetëm në këtë botë, por ne jemi dy, së bashku, dhe unë e di kush je ti”.

Khalil Gibran (lindi në 1883 në Liban dhe vdiq në 1931 në Nju Jork) ishte poet, filozof, piktor amerikan i natyralizuar libanez, si dhe udhëheqësi i shkrimtarëve arabë të përtejdetit.

Përmes stilit plot muzikalitet, ai rinovoi prozën arabe, por vepra e tij më e famshme është “Profeti”, suksesi i një udhërrëfyesi shpirtëror. I shkruar gati një shekull më parë, ky libër me mesazhe shpirtërore vijon të mbetet një vepër referimi për një numër të madh njerëzish, qofshin ata ateistë apo besimtarë.

Një libër mësimi, urtësie në udhëkryqin e islamit dhe krishterimit, që ka bërë që Khalil Gibran të quhet një i çmendur mistik. Fëmijë i mërgimit, gjithë jetën Gibran artin e vet e bëri një lidhje midis Lindjes dhe Perëndimit, një dualitet që gjendet në vetë procesin e shkrimit të “Profetit”.

Përtej shkishërimeve, ai kishte parandjenja të tmerrshme:
Mëshirë për kombin, ku ekzistojnë njëmijë besime, por nuk ka fe.

Mëshirë për kombin, banorët e të cilit veshin një rrobë që nuk e kanë prodhuar vetë, hanë bukë, grurin e së cilës nuk e kanë korrur dhe pinë verë që nuk ka rrjedhë nga shtrydhëset e tyre.

Mëshirë për kombin, ku njeriu përçmon një pasion në ëndrra për t’iu nënshtruar atij në zgjim.

Mëshirë për kombin, ku ngre zërin vetëm në kortezhe mortore, ku lavdërohet vetëm mes rrënojave dhe ku revoltohet vetëm kur qafa i ka ngecur mes shpatës dhe shtyllës.

Mëshirë për kombin, burrështetasi i të cilit është një dhelpër, filozofi i të cilit është një zhongler dhe arti i të cilit është një art i improvizimit dhe piraterisë.

Mëshira për kombin, ku të urtët janë memecë nga mosha, ndërsa burrat e fortë janë ende në djep.

Mëshirë për kombin e ndarë, secila pjesë e të cilit pretendon për vete emrin e kombit.

Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët e tu. Ata janë bijtë dhe bijat e vetë jetës. Ti i sjell në jetë, por nuk i krijon. Ata janë pranë jush, por nuk janë prona juaj. Ju mund t’u jepni atyre gjithë dashurinë tuaj, por jo idetë tuaja. Sepse ata kanë idetë e tyre. Ju mund të strehoni trupin e tyre, jo shpirtin e tyre. Sepse shpirti i tyre jeton në shtëpinë e së ardhmes, ku ty nuk të lejohet të hysh, as në ëndërr. Ju mund të përpiqeni të dukeni si ata, por nuk dëshironi që ata të duken si ju. Sepse jeta nuk kthehet prapa dhe nuk ndalet tek e djeshmja. Ju jeni harku, që i hedh fëmijët drejt së nesërmes.

“Nuk je i mbyllur në trup, as i burgosur në shtëpi e fusha, çfarë je banon shumë më lart se malet dhe endet me erën… Është diçka e lirë, një shpirt që mbështjell tokën dhe lëviz në eter”.