Jose Saramago – Vetmia nuk është të jetosh vetëm

Vetmia nuk është të jetosh vetëm, vetmia është të mos jesh i aftë t’i bësh shoqëri dikujt apo diçkaje që ndodhet brenda vetes, vetmia nuk është një pemë në mes të një fushe ku është vetëm ajo, është distanca midis ujthit të thellë dhe lëvores, midis gjethes dhe rrënjës.

Ti po tërbohesh, të gjitha gjërat që përmend janë të lidhura me njëra-tjetrën, aty nuk ka vetmi.

Le ta lëmë pemën të qetë, shiko brenda dhe do të shohësh vetminë, siç thonë, të vetmuar edhe mes njerëzve. […] Nuk ishte ajo vetmia për të cilën flisja, por ajo tjetra, ajo e të qenit me veten, ajo e durueshmja, që na bën shoqëri. Duhet të themi edhe për këtë, ndonjëherë nuk durojmë dot, thërrasim një prani, një zë, herë të tjera i njëjti zë dhe e njëjta prani shërbejnë vetëm për ta bërë të papërballueshme.

Jose Saramago lindi në 16 nëntor 1922 në Azinhaga. Shkrimtari, gazetari, dramaturgu, esisti. poeti, kritiku letrar dhe përkthyesi portugez, u vlerësua me çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin, me motivacionin: “Me alegori, të siguruara nga imagjinata, dhembshuria dhe ironia, ai vazhdimisht na lejon të njohim realitete që janë të vështira për t’u kuptuar”.

Ishte autori i parë portugez në histori që mori çmimin e lakmuar. Duke menduar për Saramagon, përmendim menjëherë kryeveprën vizionare “Verbëria”. Proza e Saramagos ishte po aq e gjithanshme dhe e shumanshme sa vetë jeta e tij. Në libër autori përdori metaforën e verbërisë për të dënuar mendjengushtësinë e njeriut bashkëkohor. Epidemia depersonalizohet, e shndërron qenien njerëzore në një entitet abstrakt në numrin e infektimit. Saramago i jep zë luftës për mbijetesë që e çon njeriun kundër njeriut (Homo homini lupus), njerëzimi shpejt kthehet në një fazë gati shtazarake. Ai flet për ligjin e shtypjes, për të keqen që është e pakuptimtë dhe verbëria shpesh nuk ka arsye.

Së fundi, metafora e verbërisë shfaqet si një alegori ekzistenciale. Jo një dëmtim fizik, por një gjendje njerëzore “nga sytë kemi bërë një lloj pasqyre të kthyer nga brenda”. Saramago shkruan: “Nga ky brumë jemi brumosur: gjysma indiferencë dhe gjysma keqdashje”.

Nuk ka fund të lumtur, nuk ka falje. “Verbëria” tregon një histori mizore dhe shqetësuese, ku për të “mirët” nuk ka shpëtim. Ai është në gjendje të raportojë të vërtetat e pavdekshme në lidhje me njerëzimin në kuptimin e tij më universal.