Në radhët e shkrimtarëve që lëvruan gjinitë e prozës dhe të dramës aty nga fillimet e shekullit XX e këndej bën pjesë edhe Foqion Postoli, i njohur veçanërisht me romanin “Lulja e kujtimit”.
Vepra letrare e Foqion Postolit, me temat dhe idetë e saj, u bëri jehonë detyrave të rëndësishme historike, që i shtroheshin popullit shqiptar pas 1912-s për forcimin dhe konsolidimin e pavarësisë, për krijimin e një shteti të ri shqiptar demokratike e të përparuar.
Foqion Postoli lindi më 1889 në qytetin e Korçës. Së bashku me Pashko Vasën dhe Ndoc Nikajn, ata u bënë misionarët e romanit në letërsinë shqiptare nga fundi i shek. 19 dhe në dy dekadat e para të shekullit të 20-të. Vdiq shumë i ri, më 2 tetor 1927, në moshën 38-vjeçare dhe për një kohë të shkurtër prej dhjetë vjetësh shkroi katër vepra letrare: “Lulja e kujtimit”, “Për mbrojtjen e atdheut” dhe pjesët teatrore “Detyra e mëmës” dhe “Martesa e një avokati”.
Romani “Lulja e kujtimit” përshkohet nga elemente romantiko-sentimentale, që në letërsinë shqiptare u shfaqën në kushte historike shoqërore të ndryshme nga ato të vendeve evropiane. Veprën e përshkojnë tejendanë idetë dhe ndjenjat e zjarrta patriotike, por dallohet nga të tjerat për një kompozicion më koherent e për një linjë më të shpenguar e më realiste në thurjen e i intrigës dhe në vizatimin e situatave dhe të karaktereve të personazheve.
Linja kryesore e subjektit është historia e dashurisë mes dy të rinjve, Dhimitrit dhe Olimbisë, që u përkasin shtresave shoqërore të kundërta. Forcë lëvizëse e ngjarjeve në to bëhen ndjenjat e pastra e të sinqerta të dashurisë, e cila bie ndesh me konservatorizmin dhe paragjykime të ndryshme klasore, fetare dhe morale të shoqërisë. Në romanin “Lulja e kujtimit”, qytetërimi, arsimi, kultura shikohen si domosdoshmëri historike për të dalë nga prapambetja dhe errësira.
Si të gjithë shkrimtarët e tjerë romantiko-sentimentalistë, edhe te Postoli dashuria është një ndjenjë e shenjtë, ideale, një idhull, që selitet dhe jeton me ëndrrat më të bukura.
“Lulja e kujtimit”, vepra më e bukur e Foqion Postolit, lexohet me endje edhe sot për ato ideale të larta të atdhedashurisë dhe për atë patos të çiltër me të cilin përshkruhen ndjenjat më fisnike të njeriut.