“Fytyra nën maskë është një fytyrë e mrekullueshme, pozita e saj shoqërore është shumë herë më e lartë se që shënohet në pasaportë, por për çfarë shërben? Njerëzit nuk ia pëlqejnë hezitimin e vazhdueshëm apo maskimin e tij, madje e konsiderojnë të dyshimtë dhe të rrëmujshëm. Po lindi, dyshimi nuk njeh kufi”.
Ivo Andriç ia beson vizionin poetik dhe procesin krijues një monologu të Gojas mbi artin dhe fatin njerëzor, i krahason aftësitë e portretit të piktorit me atë të shkrimtarit, të dy të aftë për të kryer “operacionin djallëzor: të zhvendosë personazhin nga gjithçka që e rrethon dhe ta lidhë atë me njerëzit dhe mjedisin”.
Këngët, traditat dhe legjendat, me të cilat ai u rrit do të jenë materiali për romanet dhe tregimet e tij të shkurtra. “Bëhet fjalë për ato ngjarje të vogla, të padukshme, por fatale, që shpesh thyejnë shpirtrat e atyre burrave të vegjël, që ne i quajmë fëmijë dhe që të rriturit e kredhur në shqetësimet e tyre, i kanë kapërcyer lehtazi ose nuk i kanë pikasur fare”. Përshkrimi i frikës vjen si një rrëfim. “Bëhet fjalë për frikën e fëmijërisë, e cila, varësisht se si ka qenë kontakti i parë i një fëmije me shoqërinë dhe ligjet e saj, në vitet e mëvonshme, me zhvillimin intelektual dhe edukimin e duhur, zhduket ose, përkundrazi, mbetet brenda, rritet bashkë me të, e mbush, i dëmton dhe ia bën copash shpirtin, i helmon jetën si një sëmundje e fshehur dhe një barrë e rëndë”.
Në tregimin “Borxhi”, Andriç është në shtratin e vdekjes: “Ai e vështron vetveten me sytë e të tjerëve, duke bërë një bilanc të jetës së tij, ashtu siç do t’u dukej të tjerëve, njerëzve të panjohur. Ai la koleksionin e plotë të veprave, përfshi biografinë dhe gjuhën, të ndërthurur me historinë e popullit të cilit i përkiste: kjo do t’i garantonte atij atë që ata e quajnë pavdekësi. (…) Ai kishte eliminuar gjithçka, që mund ta komprometonte në sytë e pasardhësve: çdo sugjerim personal, çdo episod privat, për të mbetur, në sytë e brezave të ardhshëm, një abstraksion, gjithnjë e më shumë një shkrimtar dhe gjithnjë e më pak një njeri prej mishi e gjaku”.
I lindur kroat, shkrimtari më pas do të deklarohej kulturalisht serb, do të mbaj poste të shumta politike dhe në vitin 1961, annus mirabilis i “një vendi të vogël mes botëve”, merr çmimin “Nobel” në letërsi.
Gjithmonë ekziston partneri i tij i jetës: frika. “Të jetosh në frikë, pendim dhe frikë të përjetshme të frikës; të mos jesh në gjendje të mbyllësh sy, apo të marrësh frymë thellë dhe, pavarësisht gjithë kësaj, të punosh, të qeshësh dhe të bisedosh, për burra si unë do të thotë të jetosh, të kesh sukses në jetë”.