Antonin Artaud mund të përkufizohet në të gjitha aspektet si një “Poet i Zi”, por në çfarë kuptimi? Poezia e tij është poezia e një shpirti të trazuar, pra i atij që nuk është i kënaqur; që më tepër gërmon në tërë realitetin dhe në shpirtin njerëzor për të zemëruar identitetet e rreme, në favor të një të vërtete të ndjerë si të nevojshme, për të mos thënë jetike. Nuk ka rëndësi, nëse në këtë poezi Artaud përshkruan veten, apo i drejtohet dikujt tjetër. E rëndësishme është forca e ndikimit, shpërthimi i së vërtetës, mbijetesa e pamundur e traditës. Pikërisht për këtë, poeti i zi është ai që jeton, duke përflakur çastet, duke shtrënguar atë penën shpëtimtare që sëmbon zemrën e papërshtatshme dhe dinake të njerëzve.
Nga ana tjetër, Artaud është një autor vizionar. Nuk ka vështrim më të mirë, se ai që lidhet me realitetin e vërtetë, me atë që ndrydh! Por mbi të gjitha, është mirë ta thuash dhe ta përsëritësh, pa pikë droje; me të vërtetë, pikërisht atë të vërtetë shpëtimtare, që për poetin dhe fatin e tij, ai është “… i varur në gojët tuaja jam/ gra, zemër tharbëta si uthulla”.
Poet i zi
Të përndjek një zemër virgjëreshe,
poet i zi,
poet i tharbët, ndërsa jeta zien
dhe qyteti përflaket,
qielli përthithet në rrebeshe shiu,
pena jote gërvisht zemrën e jetës.
Pyll, pyll i luzmuar nga sy
mbi drurë të hapërdarë pishash;
floknaja stuhish, poetët
kalërojnë kuaj dhe qen.
Sytë përgjaken, gjuhët vërtiten,
qielli rrëshqet në flegrat e hundës
si një qumësht ushqyes i mavijosur;
i varur në gojët tuaja jam
gra, zemër tharbëta si uthulla.
Për më tepër, poeti, si çdokush i kapluar nga ndjenja e panikut, flakëron në pyll, duke ia mbathur si një shkëndijë nga qyteti që përflaket. Megjithatë, ai poet që atëherë hipte në kuaj dhe qen, tani nget makina dhe udhëton me trena dhe metro. Vraponi nëpër pyje, të përgjuar nga sytë e pafund të kafshëve. Dhe nga pyjet shpëtimtare kthehemi në qytetet metropolitane, që ende digjen e digjen, duke përflakur shkëlqimin e “zemrës së virgjëreshës”, obsesionit të vullnetshëm, jo më pak të një “poeti të tharbët”, të një poeti të pagabueshëm, real, të përflakur, të tërbuar nga ‘floknaja stuhish”.