HORLA

Në veprat e Mopasanit, gjejmë ndikimin e Zolas, Floberit dhe Shopenhauerit. Romanet dhe tregimet e shkurta rrjedhin natyrshëm në rrymën realiste dhe paraqesin tipare të kritikës së egër të shoqërisë borgjeze.

Pavarësisht nga të gjitha paraqitjet, ky lloj dashnori i zjarrtë i grave dhe i gëzimit, autor i kryeveprave si “Bel ami”, “Një jetë”, “Pieri
dhe Zhani” ishte një kolos argjile që strehonte brenda vetes një qenie të trazuar, të vuajtur, të obsesionuar nga frika. Prova mirëfilli dhe në të njëjtën kohë e dëshpëruar e këtij aspekti të errët, është tregimi i shkurtër i bukur “Horla” i shkruar në 1887. Në fillim të tregimit, protagonisti na bën pjesëmarrës të lumturisë në një mëngjes të mrekullueshëm maji, por më pas, ditë pas dite, historia bëhet një ditar i paepur i gremisjes drejt çmendurisë, i personifikuar nga Horla e tij, kjo qenie e çuditshme e padukshme që nënkupton shpirtin e tij, derisa ta zotërojë plotësisht. “Horla” hyn katërcipërisht në kategorinë e përrallave fantastike, misterit dhe tmerrit, por do të ishte më e saktë ta klasifikonim atë si një përrallë profetike, sepse me këto faqe kushtuar një individi në prag të çmendurisë, autori e dinte se ai po profetizonte çmendurinë e tij dhe vetë tentativën për vetëvrasje. Mopasani vuante nga një çrregullim sifilitik i sistemit nervor, i cili mbeti i lokalizuar deri në 1890, duke u shfaqur me dhimbje koke të tmerrshme, pagjumësi, makthe, por që më pas u përhap në tru duke e çuar në çmenduri. Në janar 1892 Mopasan tentoi vetëvrasjen, më pas u dërgua në Paris dhe e mbyllën në azilin e një mjeku të famshëm të kohës, ku kaloi tetëmbëdhjetë muaj, duke ecur këmbadoras dhe duke lëpirë muret me gjuhë, përpara se të ndërronte jetë, pa iu dhënë mundësia mendjes të ngjitej nga errësira në të cilën ishte zhytur. “Horla” në vend të kësaj është gjithmonë i gjallë dhe i mirë mes nesh, sepse siç shkroi vetë Mopasani: “Ne jemi kaq të brishtë, kaq të çarmatosur, kaq injorantë, kaq të vegjël, ne, mbi këtë pikël balte që rrotullohet, e pafuqishme në një pikë uji”./Botimet NAZARKO