“Mos i jepni shumë peshë optimizmit dhe pesimizmit; përpiquni të kapni ngjyrimin e vetë jetës.[…] Mos harroni se detyra juaj e parë, është të jeni sa më të kompletuar – dhe ta përsosni veprën. Jini dorëlëshuar, jini të vëmendshëm dhe aspironi për çmimin”.
Nga lindja ishte një njujorkez, i birësuar londinez, por ajo që ka më shumë rëndësi është se Henri Xhejms, i cili vdiq më 28 shkurt 1916, ishte një lirik i madh i kohës së tij. Aq sa kritikë të ndryshëm, disa vite më vonë, i riinterpretuan personazhet e veprave të tij si ikona të epokave të tëra, mishërime të kulturave të tij bashkohore dhe metafora të sferave shoqërore të së shkuarës. Jo më kot e cilësuam si amerikan dhe anglez. Shpesh shkrimet e tij fokusohen në kontrastin midis butësisë dekadente të botës së vjetër dhe energjisë vitale të së resë. Të paktën kështu ishte në kohën e tij!
Henri Xhejms, djali i një filozofi-teologu, vëllai i një psikologu dhe një shkrimtareje, ishte formësuar me kryeveprat e letërsisë angleze, amerikane, franceze, italiane, gjermane dhe ruse, duke i lexuar të gjitha në gjuhën origjinale, përveç dy të fundit, kësisoj nuk është për t’u habitur, nëse në qendër të romaneve dhe tregimeve pak a shumë të shkurtër, ai vendosi konfliktin, ndërgjegjen dhe moralin si tema kryesore dhe sugjerime për të reflektuar, duke i ndarë frymëzimet e tij mes amerikanit Hawthorne, francezit Balzak dhe rusit Turgenjev. Në romanin e tij më të njohur, “Portreti i një zonje”, botuar në pjesë midis 1880 dhe 1881, tashmë tema e konfliktit të brendshëm, e cila ngrihet në një alegori të kohës, shfaqet mbizotëruese. Isabel është një grua e re në një dilemë të përjetshme midis qëndrimit dhe udhëtimit, mes dashurisë dhe mosdashurisë, midis lirisë dhe ndjenjës së detyrës, të gjithë elementëve që mbeten në brendësi të saj dhe përvijojnë karakterin si bijë e kohës dhe hapësirave të saj.[…]/Botimet NAZARKO