Eli Vizel, i mbijetuari i Holokaustit

“Nëse gjatë gjithë jetës sime do të më ishte dashur të shkruaja vetëm një libër, atëherë do të kishte qenë ky. Ashtu siç tejzgjatet e kaluara në të tashmen, ashtu edhe tërë shkrimet e mia pas “Natës”, duke përfshirë edhe ato që flasin për temat biblike, talmudike apo hasidike, ruajnë thellësisht gjurmën e këtij libri dhe nuk mund të kuptohen nga askush, që nuk ka e lexuar këtë vepër timen, të parën fare”, – shprehet Eli Vizel.

Eli Vizel lindi në vitin 1928 në qytetin e Sighet, tani pjesë e Rumanisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai, së bashku me familjen dhe hebrenjtë e tjerë të zonës u internuan në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes gjermane, prej nga mbijetuan vetëm Vizel dhe dy motrat e mëdha. I çliruar nga Buhenvaldi në vitin 1945, u dërgua në Paris, ku studioi në Sorbon dhe më pas, punoi si gazetar.

“Natë” ishte libri i tij i parë, një kujtim i përvojave në kampet e përqendrimit. Që atëherë ka shkruar rreth tridhjetë libra, disa prej të cilave i përdorin këto ngjarje si pikë referimi. Në leksionet e tij të shumta, Vizel interesohej për gjendjen e hebrenjve dhe grupeve të tjera që kishin përjetuar persekutim dhe vdekje për shkak të fesë, racës ose origjinës kombëtare.

Çmimi “Nobel” në Oslo, më 10 dhjetor 1986:

“Ndihem i prekur, tepër i prekur nga fjalët tuaja, Kryetar Arvik. Po e pranoj këtë nderim, – më të lartin që ekziston – që ju keni zgjedhur të ma jepni, me një ndjenjë të thellë përuljeje. E di fort mirë që zgjedhja juaj shkon përtej personit tim. A e kam unë të drejtën të përfaqësoj morinë e atyre që u tretën? A e kam unë të drejtën ta pranoj këtë nder të madh në emër të tyre? Nuk e kam. Askujt s’i lejohet të flasë në emër të të vdekurve, askush nuk mund t’u japë zë ëndrrave dhe përfytyrimeve të tyre të sakatuara. E prapëseprapë unë e ndiej praninë e tyre. E ndiej ngahera – dhe në këtë çast më tepër se kurrë. Praninë e prindërve të mi dhe atë të motrës sime të vogël. Praninë e mësuesve të mi, të shokëve të mi, të bashkudhëtarëve të mi…

Ky nder u përket të gjithë të mbijetuarve dhe fëmijëve të tyre, e nëpërmjet nesh, i përket mbarë popullit hebre, me fatin e të cilit unë jam njësuar gjithmonë.

Unë kujtoj atë që ndodhi dje, apo shumë e shumë kohë më parë. Një djalë i vogël hebre zbuloi Mbretërinë e Natës. Më kujtohet hutimi i tij. E kam para sysh ankthin e tij. Çdo gjë ndodhi sa hap e mbyll sytë. Getoja. Syrgjynosja. Vagoni i mbyllur i gjedhëve. Altari përcëllues mbi të cilin historia e njerëzve tanë dhe e ardhmja e njerëzimit ishin fatthënë për t’u sakrifikuar.[…]

Jetët tona nuk na përkasin më vetëm neve, ato u përkasin të gjithë atyre që na e kanë nevojën dhe që janë në kulm të dëshpërimit.

Ju falem nderit, Kryetar Arvik! Ju falem nderit anëtarë të Komitetit Nobel! Të faleminderit, o popull i Norvegjisë, që shpallët me këtë rast të veçantë se mbijetesa jonë paska kuptim për mbarë njerëzimin!”/Botimet NAZARKO