Vetëm një: BALZAK!

Viktor Hygoi e konsideroi Balzakun, si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të, çka do ta shprehte me forcë dhe fuqimisht në elozhet e fjalimit të varrimit: “Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, me shkëlqim”. Shokë udhe, dy gjigantët e letërsisë franceze e filluan karrierën në të njëjtën kohë dhe frekuentuan të njëjtat rrethe; secili ndoqi karrierën e tjetrit, Balzaku me zili, Hygoi me simpati. Ata morën drejtime të ndryshme: Hygoi filloi të ishte kundërrevolucionar dhe do të ndiqte një evolucion drejt të majtës, Balzaku, nga një liberal, do të bëhej një konservator solid. Hygoi do kishte të gjitha nderimet (deputet, akademik), kurse Balzak do të rrëzohej tri herë për t’u zgjedhur nën Kupolë. Përgjatë një shekulli në lëvizje, ata janë dy autorë të mëdhenj, edhe pse pozicioni në fushën e letrave nuk është i njëjtë. Hygoi, në fillesat e hershme do mbështetej financiarisht dhe do gëzonte përfitime dhe lehtësira. Nga ana tjetër, Balzaku ishte i dënuar t’ia dilte me forcat e veta. Jeta e tij mishëron, që nga fillimi i viteve 1820, tregun letrar.

Romancier, gazetar, botues, sipërmarrës, kritik, eseist, Balzaku ndoqi një karrierë shembullore, duke pasur parasysh dëshirën për të qenë i suksesshëm. Me “Komedia njerëzore”, si një zot, ai krijoi një botë të tërë, një katedrale libër dhe, për t’ia arritur qëllimit, i vuri vetes detyrën e një minatori fjalësh. Pena e tij e kredh lexuesin në pallatet nën sundimin e Lui-Filipit, në rrugica të zhurmshme e rrugica të qeta. Lexuesi takohet me mashtrues, borgjezë, fisnikë të mëdhenj, grabitës, kontesha dhe vajza. “Të gjithë personazhet e tij janë të pajisur me zjarrin jetësor, me atë pasion që e karakterizonte atë vetë”, – shkroi me admirim Sharl Bodëleri./Botimet NAZARKO