Fabulat, që paraqesin kafshë, shpesh frymëzohen nga ato të Ezopit, shkrimtarit antik grek. Shkruar në vargje me një stil të përjetshëm, secila më vete është një perlë poetike me një moral edukativ. Ato janë përçuar brez pas brezi tek nxënësit e shkollve, duke memorizuar morale që nuk kanë humbur asgjë nga e vërteta e tyre.
Megjithëse datojnë në shekullin e 17- të, “Fabulat” e La Fontenit vijojnë të mbeten vepra ndërgjeneratash, kuptimet e ndryshme të leximit të të cilave ofrojnë një rëndësi të theksuar pedagogjike.
Paçka se nuk e siguroi asnjëherë mbështetjen e Luigjit XIV, La Fonteni kishte dashamirës të shumtë pranë fronit dhe në gjirin e fisnikërisë. Ai lëvizte mes kishave, mjekëve, artistëve, muzikantëve dhe aktorëve, por ishin qarqet letrare që frekuentonte kryesisht.
Këto fabula vijojnë të na përkëdhelin imagjinatën, duke u shndërruar në themelin e moralit të gjithsecilit. Personzhet janë vizatuar me një delikatesë të jashtëzakonshme në pasqyrimin e psikologjisë dhe sjelljeve, e gjitha në një gjuhë kaq të thjeshtë, sa mund t’i lexojnë edhe më të vegjlit. Dhe çfarë mjeshtërie në rrëfimi! Në dy rreshta, ai paraqet kornizën, në katër paraqet intrigën; lexuesi nuk mund të shkëputet më nga historia e krijuar mjeshtërisht, e ushqyer nga një rrëfim që na zhyt në zemrën e veprimit. Shtoji kësaj dialogje plot jetë, një stërpikje diskrete humori, hera-herës dinak, por gjithmonë pozitiv dhe një moral të plotë, me mendje të shëndoshë, duke përfituar kështu recetën për suksesin e pamohuar të një
shkrimtari, i cili, ishte i vetëdijshëm se duhej të ruante gjithë lirinë e tij: “Imitimi im, nuk është skllavëri”./Botimet NAZARKO