Një pacifist absolut, 20-vjet para vizitës në Moskë, Rolland mori çmimin “Nobel” për letërsi: nga Zvicra, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai vazhdoi të shkruante kundër luftënxitësve, kundër kasapit të historisë. Në gusht të 1914-s, në ditarin e tij, shkrimtari shënon: “Jam i tronditur. Dua të vdes. E tmerrshme jeta në mes të këtij njerëzimi të çmendur, të marrësh pjesë, pa duar, në dështimin e qytetërimit”. Ai u përpoq të ishte i barazlarguar, të vishte një aureolë, fisnikëri e xhindosur: nga francezët ai u akuzua për tradhti, nga gjermanët ai thjesht u injorua. Disa nga tekstet e tij “Përtej mishmashit”, janë klasikë të pacifizmit.
I lindur në Klamensi, në fund të janarit 1866, Rolland iu përkushtua kryesisht muzikës. U specializua në Romë, ku u njoh me Malwida von Meysenbug, mike e Niçes dhe Vagnerit, jepte histori të artit dhe muzikës në Sorbonë. Ndonëse “Zhan Kristofi”, romani i botuar midis viteve 1904 dhe 1912, është autentik “portret i një epoke” për t’i dhënë famë, ai njihet më së shumti për autobiografitë, zhanër ku shkëlqeu: “Jeta e Mikelanxhelos”, “Jeta e Bethovenit”, “Hendel” etj. Në vitin 1911, botoi “Jeta e Tolstoit”: “Lufta tragjike dhe e lavdishme, në të cilën morën pjesë të gjitha forcat e jetës, të gjitha veset, të gjitha virtytet”: kështu e përmbledh ekzistencën e romancierit të madh rus, të cilin e kishte mik. Në veçanti, në shtojcë, ai përmend marrëdhënien midis Tolstoit dhe Gandit: të dy janë gurët e themelit të mendimit jo të dhunshëm të Rollandit.
Kushdo që ka shfletuar “Siddhartën” kujton, se pjesa e parë e librit i kushtohet “me respekt miqësor Roman Rolland”: marrëdhënia midis Herman Hese dhe Rolland sanksionohet nga korrespondenca e gjerë, në “Nga një breg në tjetrin”. Ishte Rolland, në vitin 1914, ai që kishte kërkuar Hesen, i cili ishte kthyer së fundmi nga udhëtimi në Ceilon dhe Malajzi, për të cilat ndjente një farë tërheqjeje. Hese u nderua me kaq shumë vëmendje nga një “mjeshtër”: ai pa tek ai “shpirtin e atij që lufton kundër arsyes së pakuptimtë të intelektualëve të kohës sonë” dhe që e konsideron politikën një lëmsh “qëllimesh të mira që zbulojnë gjithmonë një mallkim, diçka armiqësore”. Ah, Rolland, besimi yt i palëkundur te njeriu…