Dino Buxati është një nga shkrimtarët italianë më produktivë dhe më të rëndësishëm të shekullit XX. Kronist dhe korrespondent special i “Corriere della Sera”, që nga vitet e universitetit, ai ishte gjithashtu piktor, dramaturg, skenograf, kostumograf dhe poet. Me shkrime të mprehta, të pasurua me alegori e metafora dhe falë komploteve surrealiste, Buxati fitoi emrin e Kafkës italiane, madje qe ndër kritikët më kaustikë të moralit dhe etiketimeve borgjeze. Romani “Shkretëtira e Tartarëve” konsiderohet shembulli më i lartë i rrëfimit ekzistencialist italian. Me gjithë lehtësinë e tij në të shkruar dhe fantazinë e jashtëzakonshme të trillimit, Buxati thoshte vazhdimisht se ishte viktimë e një keqkuptimi të madh: “Unë jam një piktor që si hobi, gjatë një periudhe fatkeqësisht të tejzgjatur, u bëra edhe shkrimtar, edhe gazetar. Bota, nga ana tjetër, beson se është e kundërta dhe pikturat e mia nuk mund t’i marrë seriozisht”. Gjithsesi, për të nuk kishte dallim mes pikturës dhe shkrimit, sepse të dyja aktivitetet kishin të njëjtin qëllim për të: të tregonte histori.
Mbi të gjitha, në imagjinatën kolektive Buxati mbetet autori i “Shkretëtira e Tartarëve” (1940), romani magjepsës i pritjes, komploti i të cilit, në dukje i palëvizshëm, na mban pezull deri në faqen e fundit pranë ushtarëve që plaken në Kalanë e Bastianit, në pritje të tartarëve, armikun që së fundmi do të sjellë ngjarjen e dëshiruar, lavdinë, shëlbimin e një ekzistence ndryshe të padobishme. Mirëpo, në realitet gjithçka ishte një mashtrim: në finale tartarët vijnë vërtet, ushtria e pritur që nga kohëra të lashta shfaqet në horizontin e shkretëtirës, pikërisht kur majori Giovanni Drogo, tashmë i sëmurë dhe i padobishëm, dërgohet përsëri në qytet. E tija duket si një disfatë, por faktikisht nuk është: në vetminë e një hani, ai zbulon se “mundësia e madhe”, “betejën vendimtare që mund t’i kishte paguar gjithë jetën” ai po e zhvillonte jo kundër armiqve mediokër prej mishi e gjaku, por përballë vdekjes.
Ka një etikë të thellë kristiane në faqet e ateistit Dino Buxati, i cili gjatë gjithë jetës qe në kërkim të Zotit (“Lindi një zbrazëti e frikshme, që është tragjedia e botës moderne”, – thotë ai për mungesën e dëshirës për Zotin në 1965). “Përballë frikës së vdekjes, – shkruan korrespondenti i luftës për “Corriere della Sera” në 1941, i vetmi organizëm që duket se më dha besim ishte Zoti. Atëherë do të bëhesha i fortë jo vetëm përballë vdekjes, por edhe përballë dhimbjeve të çdo lloji, mjerimit, zhgënjimeve, trishtimit që shkakton koha”.