“Libri është kopsht, është pemëtore, thesar, është festë, si të thuash është një shoqëri, është këshilltar, një mori këshilltarësh.”
Sharl Bodleri lindi në Paris në 8 prill 1821 në lagjen latine. I ati i vdiq që herët, kur sapo kishte mbushur gjashtë vjeç. Një vit më vonë, e ëma u martua me kolonelin Aupick. Student i padisiplinuar, ai u përjashtua nga liceu Louis-Le-Grand në prill të vitit 1839. Më pas, diplomën e shkollës së mesme e mori në Saint-Louis, para se të niste studimet për drejtësi.
Në vitin 1843 filloi të shkruante “Lulet e së keqes”, provoi hashishin – një përvojë që e shpalos tek vepra “Parajsa artificiale”. Kritik arti dhe gazetar, Bodleri është gjithashtu autori i “Sallonet”, “Piktori i jetës moderne”, njëherazi edhe përkthyes i veprave të Edgar Allan Poe. Në 1857, pak pas publikimit të “Lulet e së keqes”, u akuzua për shpërfillje të moralit publik dhe moralit fetar, u dënua pa apel me treqind franga gjobë, si dhe me censurimin e gjashtë poezive nga koleksioni. Zgjedhjet estetike dhe politike të Bodlerit luhaten midis modernizmit dhe antimodernizmit. Poezia “Albatros” mbetet manifesti i përjetshëm i poetikës së tij.
Sharl Bodleri e kaloi jetën duke kundërshtuar moralin e klasës së mesme të mjedisit të tij shoqëror. Dëshmi e kësaj situate kundërshtimi është fakti se si u prit vëllimi “Lulet e së keqes”. Bodleri jetoi me imazhin e formës poetike që ai privilegjonte. Nëse soneti është pjesë e një tradite të vjetër, përdorimi që ai i bën asaj e rigjeneron. Në të njëjtën mënyrë, nëse revoltohet kundër moralit borgjez, jeta që ai bëri nuk përbënte një rebelim të pavetëdijshëm.