Romancier, kritik arti, përçues i mendimit modern shkencor, materialist, kampion i luftës kundër besëtytnive dhe despotizmit, Didero është ndër të fundit shpirtra universalë, një “panfotil”, – siç e quajti Volteri.
“Çmenduria dhe kreativiteti shpesh shkojnë dorë për dore”, – sugjeron njeriu i letrave franceze i shekullit të 18-të, homolog i Rusoit dhe Volterit. Lindi në 1713 në Langres, 300km larg Parisit. I ati ishte thikëpunues dhe, më pas, do jetë figurë e përsëritur në krijimtarinë e të birit, me imazhin e babait shembullor. Shkrimtari i ardhshëm mbërriti në Paris pa mbushur të njëzetat, ku studioi teologji për një kohë të gjatë. Në botën e letrave arriti të futet nëpërmjet përkthimit. Fillimisht shkroi ese filozofike. Në 1746, botoi “Mendime filozofike”, porse materiali u dënua menjëherë me djegie. Një vit më pas, shkroi “Shëtitja e skeptikut”, mirëpo edhe ky dorëshkrim u sekuestrua nga polica, gjë që e tronditi vërtet Didëronë.
Didëro është ateist, prej vërteti, nuk është deist si të tjerët, është materialist. Për pasojë, mendimi i tij shkon shumë më larg se mendimi i bashkëkohësve. Didëro ndërthur shkencën, artet dhe mjeshtëritë. Kjo është ajo që është e re në Enciklopedi, që e mbajti të zënë për gati 20 vjet. Në 1748, botoi “Bizhuteritë furacake”, të vetmin roman që botoi në të gjallë. Romanet e mëdha të karrierës së tij mbeten “Murgesha”, “Zhak fatalisti” dhe “Nipi i Ramonit”. Ai shkon aq larg në aspektin e formës, sa vëren se nuk mund të gjejë audiencë në kohën e tij. Ai duhet të kënaqet ose me korrespondencë letrare ose me pasardhësit. Për Didëronë Njeriu është në qendër të gjithçkaje. Ateist i lindur, Didëro e sheh Zotin si një pengojcë për lumturinë, që mund të arrihet vetëm duke gjetur ekuilibrin e duhur midis instinktit dhe pasioneve. Duhet të mësojmë të shfrytëzojmë lirinë, të përparojmë përmes shkencës dhe moralit, ky është roli i Enciklopedisë Didëro, i cili beson në edukimin që i siguron Njeriut mjetet që do e mundësojnë të lartësohet. Me humanizmin e formuar nga toleranca dhe kurioziteti i pakufishëm, dëshira për të ndërthurur filozofinë dhe letërsinë, vepra e Didërosë është një ftesë e gëzueshme për të vënë në pikëpyetje të vazhdueshme natyrën e Njeriut, si dhe atë të shoqërisë, në një kërkim për të vërtetën, e cila, në fund të fundit, është më shumë e rëndësishme se vetë e vërteta.