Simone de Beauvoir – ekzistencialistja e feminizmit

         “Unë mendoj, se feminizmi është një kauzë e zakonshme si për burrat dhe gratë, dhe se burrat do të jenë në gjendje të jetojnë në një shoqëri më të barabartë, më të organizuar, më të vlefshme, vetëm kur gratë të kenë një status më të paanshëm dhe më të fuqishëm. Arritja e barazisë ndërmjet të dyve i prek të dyja”.

“Jeta ime është puna ime”, – u shpreh dikur Simon de Bovuar, tamam si një ekzistencialiste e vërtetë. Për të, jeta dhe mendimi ishin të lidhura pazgjidhshmërisht; ne jemi ajo çfarë bëjmë. Ekzistencializmi është filozofia që përshkruan kushtet e ekzistencës njerëzore, por refuzon çdo konceptim të natyrës njerëzore; një filozofi që pohon lirinë e njeriut, veç thekson se nuk sjell me vete përforcimin e lumturisë, por ankth dhe dëshpërim, një filozofi që pohon se njerëzit kanë zgjedhje, por nuk është optimiste nëse njerëzit do t’i përdorim mirë ato, apo nëse do të kuptojmë se çfarë do të thotë të bëhet zgjedhja e duhur. Pikërisht në këtë pikë të fundit, Simon de Bovuar largohet më së shumti nga partneri i saj i përjetshëm, Zhan Pol Sartrë. Duke refuzuar të shohë në femëroren një gjendje të natyrës, Bovuar propozon të shkojë përtej koncepteve të pajustifikuara dhe na ofron modele të reja edukative për brezin e ri. “Ajo është një vajzë me tru mashkulli”, – thotë i ati. Karriera e saj e jashtëzakonshme, pa tabu e barriera, imponohet në botën e ideve dhe angazhimeve që ato nxisin. E lirë, e vendosur për të mos qenë kurrë e përgjegjshme, Simon dë Bovuar shndërrohet në një ikonë, që, pa devijime, shfaq të gjitha aspektet e karakterit të saj. Në vitin 1943,braktisi filozofinë për t’iu përkushtuar vetëm shkrimit. Gjashtë vjet më vonë, në 1949, me botimin “Seksi i dytë”, një ese filozofike dhe feministe, u bë referencë e feminizmit modern dhe e bëri të njohur si një teoriciene të madhe të lëvizjes për barazinë e grave. Në libër, ajo zbërthen nocionin e seksit dhe tregon sesi identiteti, mashkull apo femër, është mbi të gjitha produkt i shoqërisë. Por a mjafton ndryshimi i ligjeve, institucioneve, zakoneve, opinioneve dhe i gjithë kontekstit shoqëror, që gratë dhe burrat të bëhen një ditë njësoj? “Gratë do të jenë gjithmonë gra” – thonë skeptikët; të tjerë profetizojnë, se, duke u zhveshur nga feminiteti, nuk do t’ia dalin të shndërrohen në burra dhe se do të bëhen përbindësha.

Duke përqafuar kauzat radikale, Bovuar kundërshtoi luftën algjeriane, nxori mësime nga përvoja kubane, luftoi për abortin, duke shkruar dhe nënshkruar në 1971 “Manifesti i 343” në mbështetje të Simone Veil dhe ligjit që autorizon ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë. Një vit pas vdekjes së Sartrit, Bovuar botoi “Ceremonia e lamtumirave” (1981), duke rrëfyer dekadën e fundit të shokut të saj të përjetshëm. Fitorja e fundit, homazhi i fundit, do të varrosej pranë tij në Varrezat Monparnas. Dashuria e tyre ishte e aftë të shkonte përtej vdekjes: një ndjenjë e thellë, komplekse, por mbi të gjitha e lirë.