Prusti, shkrimtari i nostalgjisë

Marsel Prusti përveç se një prej shkrimtarëve më të mëdhenj francezë, ishte njëherazi kritik, eseist. Për adhuruesit e letërsisë, vepra e tij më e gjatë “Në kërkim të kohës së humbur” është një vepër e përsosur arti. Askush nuk e ka arritur ndonjëherë mjeshtërinë e tij për të parë në të kaluarën duke e kthyer atë në të tashmen. Të paktë janë ata autorë që arritën ta maskonin një autobiografi si roman, siç ai, duke u bërë, së bashku me Xhojsin, apo Kafkën, pararendës i romanit bashkohor. I pajisur me sensin e vëzhgimit dhe mprehtësinë psikologjike, autori i romanit “Në kërkim të kohës së humbur”, djali i një trashëgimtareje të borgjezisë hebreje dhe një babai doktor, u krodh në Belle Epoque. Marsel Prusti u izolua nga bota në moshën 37-vjeçare. Astmatik dhe i drobitur, u struk në dhomën e vet për të shkruar dhe për të sjellë ndërmend çdo moment të gjallë nga e kaluara, duke e dokumentuar në kryeveprën: “Në kërkim të kohës së humbur”. Vepra e Prustit është një rrugëtim midis lëvizjes moderniste dhe avangardiste, njëherazi paraqet veçori të mendimit ekzistencialist. Ai na lejon të vlerësojmë jo vetëm aftësitë e tij si shkrimtar, por edhe të zbulojmë thellësinë e tij psikologjike, na tregon për fatkeqësitë e së kaluarës, zhgënjimin dhe sa pak zgjat iluzioni.

Prusti analizon pëlhurën që mbulon jetën e tij, duke zbërthyer si askush para portretit të një shoqërie dhe një kronike të vetme që shpërndahet në shtatë vëllime. Kujt nuk i kujtohet çasti, për shembull, kur Prusti zhyt një copëz keku (madelein) në çajin e blirit dhe rikthehet menjëherë në fëmijërinë e tij. Mbi të gjitha, kujtesa ishte e vetmja mënyrë për të qëndruar i lidhur me jetën. Me veprën e tij na mëson se jeta është një vepër arti. Vetë ai e gjen veten të zhytur në këtë proces shkrimi, duke luftuar kundër vdekjes, në tentativë për t’i vjedhur ditët, ta shtyj edhe disa muaj një fund të paralajmëruar, me qëllim që të na i përcjellë të gjitha kujtimet përmes fjalëve. Thuajse gjithë vepra e Prustit është shkruar në vetën e parë. Me një stil jashtëzakonisht të pasur, me fjali të gjata, madje të pafundme, ku gjithçka shënohet me saktësi dhe delikatesë, duke nxjerrë në pah shqetësimin e tij për të vërtetën dhe ngjyrimet. Autori analizon njeriun e brendshëm dhe në të njëjtën kohë pikturon shoqërinë bashkëkohore. Prusti është mjeshtër i analizave psikologjike, gjë që ndonjëherë e bën njeriun të mendojë për Sigmund Frojdin. Kjo alkimi, e cila i dha formë një koleksioni prej shtatë vëllimesh, krijoi një kombinim magjik reflektimesh të pafundme mbi dashurinë, vuajtjen, xhelozinë, filozofinë e Bergsonit, impresionizmin, muzikën e Debussy. Një vepër mbushur me ndjeshmëri e nostalgji, që e çon lexuesin në hapat e jetës që bëri vetë Prusti. Me dritë-hijet e kontradiktat, por gjithmonë e bukur, magjepsëse. Pak vepra e kanë shënuar kaq shumë, historinë e letërsisë.