Imagjinata qeveris botën.
Një herë perandori i Shën Helenës do shprehej: “Ç’roman kjo jeta ime!”, thua ta kishte parashikuar admirimin e shkrimtarëve në të ardhmen. Adhurues i flaktë i letërsisë, Napoloni përherë ka qenë mosbesues ndaj shkrimtarëve. Shumë u përpoqën t’i bënin lajka, ca të tjerë, si Shatobriani e kundërshtuan, por thuajse të gjithë e pritën me lehtësim rënien e Perandorisë, madje kishte edhe nga ata si Viktor Hygoi, që e quanin veten mbretërorë. Në mesvitet 1820, politika reaksionare e Restaurimit bëri që të ndienin keqardhje për Shqiponjën, që nuk perceptohej më si “Gogoli” despotik i legjendës së zezë, por si përfaqësuesi i Revolucionit dhe hero i liberalizmit. I munduri i Vaterlosë vdiq në mërgim, në 1821, por legjenda e tij kishte marrë hov falë “Memoriali i Shën Helenës”, botuar në 1823. Në fillim të viteve 1830, artistët u rreshtuan kolonë për dy nën hijen e fitimtarit të Austerlitzit. Shkrimtarë, poetë, piktorë dhe skulptorë, për të mos përmendur historianët, të gjithë u ndikuan nga miti, qofshin të magjepsur nga pushtuesi i madh, nga mbrojtësi i lirive, apo nga martiri i të mundurve të Vaterlosë. Një burim frymëzimi i pashtershëm, legjenda e Napolonit u mbijetoi ndërrimeve të regjimit, duke u zhvilluar dhe pasuruar pa dalë kurrë mode.
Përgjatë shekullit të 19-të, letërsia u frymëzua nga jeta e Napolonit për të imagjinuar një hero të ri, ambicia dhe guximi i të cilit nuk ishin më, si në regjimin antik, të meta specifike të ambiciozëve, por cilësi. Natyrisht, kuptohet që këto etiketoheshin si ditirambe për regjimin republikan ose, të paktën, liberal. Një shembull mirëfilli i këtij fenomeni është “Manastiri i Parmës” (1839), hyrja e të cilit është një eulogji e zjarrtë për barazinë e Revolucionit, e cila, sipas Stendalit, u mishërua nga Napolon Bonaparti. Kësisoj, Napoloni e kishte shndërruar letërsinë në kalin e tij të Trojës. Edhe pse jo të gjithë shkrimtarët ishin aq republikanë dhe/ose bonapartistë sa Stendali, pakkush i rezistoi joshjes së legjendës perandorake, të shumtë ishin ata që e përdorën me dëshirë imazhin e tij si kopertinë në librat e tyre. Konservatori Balzak mendoi të krijonte një koleksion mendimesh dhe maksimash të perandorit, duke i stërpikur me pluhur bonapartian të dymbëdhjetë vëllimet e “Komedia Njerëzore”. Krijimtaria letrare dhe artistike rreth Napolonit bazohet po aq në fakte historike, sa edhe në thashetheme, fantazi dhe legjenda, gjë që ilustron në mënyrë të përsosur dykuptimësinë e perandorit, një figurë historike, por që mbart me vete një pjesë të joreales, madje të pamundurës, të ankoruar sa në realitet, aq edhe në trillim.