Pasolini dhe vështrimi profetik

              Moralisti u thotë jo të tjerëve, njeriu me moral vetëm vetes.

 

Një nga kineastët më të famshëm dhe më të diskutueshëm në skenën kulturore italiane të pasluftës, Pier Paolo Pasolini ishte njëherazi romancier, poet, eseist, gazetar e filozof. Autori i paklasifikueshëm dhe blasfemues, tronditi shoqërinë italiane të pasluftës me jetën e mbushur me skandale e revolta, deri në vrasjen misterioze. Përmes poezisë, kinematografisë e romaneve, ai mbajti qëndrime kundër fashizmit, konformizmit borgjez dhe shoqërisë konsumatore. Poezinë e vendos mbi letërsinë, nëpërmjet saj niset në kërkim të burimit të gjuhës, misterit të një pranie të patregueshme. Është nga ata intelektualë, që me të drejtë mund të bjerë në kategorinë e autorëve përjetësisht joaktual, pikërisht për shkak të aktualitetit të tyre të vazhdueshëm, të dëshpëruar dhe të tmerrshëm. I lindur në Bolonjë në vitin 1922, hyrja në skenën kulturore italiane daton në vitin 1942, kur, në moshën njëzet vjeçare, botoi “Poezi në Casarsa”, të parat në gjuhën friuliane. Asokohe, kritika e tij për modernitetin nuk është aq një dëshirë për t’u kthyer në të kaluarën e begatë, sesa për të imagjinuar një modernitet, nëse jo më të mirë, të paktën ndryshe. Nëse do të kishte jetuar më gjatë, Pasolini do të kishte qenë në gjendje t’i përsoste intuitat, të cilat sot vijojnë të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme. Emri i Pasolinit shkon përtej politikës. Me kritikat e mprehta dhe gjuhën e drejtpërdrejtë, therëse e nganjëherë të veshur me një pesimizëm shpesh të zakonshëm tek ata që mund të shikojnë shumë përpara të tjerëve dhe të japin fatkeqësisht parashikime të goditura, shkrimtari na ka dhënë diçka më shumë se letërsia dhe veprat, përfshi vepra kinematografike dhe teatrale. Ai ka lënë një interpretim të thellë të shoqërisë që na rrethon, të kulturës masive, të marrëdhënies midis pushtetit, ekonomisë, komunikimit dhe njerëzve të zakonshëm. Para së gjithash, ai kishte kuptuar, mbase duke humbur shumë nga shpresat rinore që synonin një zhvillim kulturor dhe politik të shoqërisë bashkëkohore, se epoka e tregut, konsumit, reklamës, do të përfshinte të gjithë dhe gjithçka, duke i hapur mirëfilli vërtet rrugën represionit të heshtur dhe dramatik të origjinalitetit të mendimit dhe lirisë së individëve. Shpesh, figura intelektuale dhe njerëzore e Pasolinit merr tiparet e disonancës: skandali i kontradiktës hedh themelet e individualitetit dhe shënon caqet e krijimtarisë së autorit. Ana e ndjeshme, pra ajo ekzistenciale, shfaqet në poezi, duke lënë vend falë bisedave për mitin e origjinës dhe, përmes dashurisë, për një univers edenik të mishëruar në imazhin e Tokës – nënë/fëmijë – bartëse erëmimesh dhe kujtimesh të lashta. Në të njëjtën kohë, tek Pasolini ekziston neveria për shoqërinë bashkëkohore: e sëmurë, borgjeze, konsumiste, e aftë ta thithë ushqimin nga gjaku i njerëzve, nga gabimet e tyre. Edhe historia është armike, pasi nuk mëson, nuk është udhërrëfyese. Fantazma e kapitalizmit mbulon gjithçka, përfshin edhe krijesat më të pastra në tentakulat e tij: të rinjtë. I mbyt, duke i kthyer në monstra.

Kanë kaluar plot 46-vjet, më 2 nëntor 1975, nga vrasja e Pier Paolo Pasolinit, ikjen e të cilit Alberto Moravia e cilësoi si largimin e “një vëmendjeje patriotike që pakkush e ka pasur”. Stili i Pasolinit, pavarësisht formës që marrin veprat, është përherë therës dhe provokues. Përmes krijimtarisë, ai nxjerr në pah aspektet më të hidhura dhe më fshikulluese të jetës, shpesh më të neveritshmet. Nganjëherë komike, më shpesh dramatike. Poetika lidhet me traditën, madje ai kërkon të largohet dhe të diferencohet nga poetika e kohës, me elemente lirike në gjuhën e kombinuar me hermetizmin. Autori preferon të përdorë mjete stilistike të parashekullit të nëntëmbëdhjetë, më afër gjuhës së përditshme, për të rikthyer racionalitetin në ligjërimin poetik. Sot, në një botë të standardizuar dhe akritike, ku gjendja shpirtërore e qenies njerëzore është sakrifikuar në emër të përparimit dhe prodhimit, mendimet e tij mund të konsiderohen profetike dhe rileximi i një prej filozofëve më të mirë të epokës moderne, duhet të jetë thuajse një imperativ i domosdoshëm, për të kuptuar krizën aktuale, koston e lartë të së cilës po e paguajnë veçanërisht të rinjtë.

                             Ata që nuk kanë pretendime, nuk kanë as keqardhje.