Të përmendësh Viktor Hygonë është njëlloj si të flasësh për një forcë natyrore trallisëse, për një energji krijuese kolosale, e cila, për më shumë se një shekull, nuk ka reshtur së flladituri botën mbarë. Një vullkan në shpërthim të përhershëm, duke vjellë pareshtur në shekullin e tij poema, romane, drama… pavarësisht pengesave, ose ndoshta falë tyre, pavarësisht tallandive të historisë dhe politikës, të një mërgimi të detyruar 17-vjeçar. “Të duash, do të thotë të veprosh” – ishin fjalët e fundit shkruar nga gjeniu i letërsisë, tri ditë para se të vdiste, më 22 maj 1885. Sigurisht, nëse ka krijuar mrekulli të atilla, Viktor Hygoi ka vepruar shumë, ka jetuar shumë dhe pa dyshim ka dashur shumë. Ndërthurja mes poetikes dhe politikës do ta bëjë atë një figurë emblematike të shekullit të 19-të. Rezistenca ndaj Napolonit III, mërgimi, rikthimi në Paris, do të shënojë si veprën, aq edhe legjendën e tij, duke e shndërruar në një nga simbolet më të mëdha të Republikës së Gjetur. I lavdëruar si “Shekspiri i romanit”, krahasuar me Homerin nga një rival si Dostojevski, Viktor Hygo konsiderohet një nga prozatorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij. Mirëpo, përpos shkrimit, Hygoi është angazhuar përherë në fushata humanitare dhe politike për të kuptuar dhe vepruar në të tashmen. Me shkrimet e tij luftoi për lirinë e fjalës dhe të shtypit, për emancipimin e gruas, për shkollën laike, për arsimin e detyrueshëm dhe falas, për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe çdo forme skllavërie.
Vdekja jo gjithmonë është fenonomen i natyrshëm dhe vjen papritur, përmes mënyrave nga më të ndryshme: për fat të keq, vuajtja është e vetmja konstante e pashmangshme. “Të gjithë njerëzit janë të dënuar me vdekje, me shtyrje të pacaktuar”, – shprehet Hygoi me ironi therëse, edhe pse është i vetëdijshëm se kjo të gjithë, në fund të fundit, përjashton shumë. Me ndjeshmëri të guximshme dhe moderne, shkrimtari denoncon sistemin e vrazhdë, pas të cilit fshihet, si frikacake, ideja e shtrembëruar e njerëzimit dhe e drejtësisë. Çfarë ndodh në mendjen dhe trupin e dikujt që merr sentencën e fundit? Cilat janë mendimet, gjendjet shpirtërore, reagimet e një personi të dënuar me vdekje? Mbretër, kuestorë, magjistratë, kishtarë, borgjezë: të gjithë të trallisur, të mërzitur, shikojnë përtej gjakut të kokave të prera, ndërsa njerëzit, të pavetëdijshëm, lavdërojnë Zonjën. Hygoi arrin të hapë enën, që hipokrizia e kohës përpiqet ta mbajë të vulosur. Dënimi me vdekje është kulmi i skllavërisë. Nga momenti kur çekiçi godet tryezën e gjykatësit, i akuzuari e gjen veten në një tunel pa rrugëdalje, vithiset në një hon pa fund. Koha ndalet dhe, në mënyrë paradoksale, vrapon, pa frena, drejt humnerës. Me trupin në qeli dhe mendjen e burgosur nga një ide, i burgosuri numëron, me padurim të ethshëm, ditët që e ndajnë nga ekzekutimi. Asgjë nuk mund t’ia lehtësojë dhimbjet, as rrezet e diellit, as lutja, as kujtimi i familjes: e mira dhemb më shumë se vetë e keqja, sepse e shikon dhe e mendon për herë të fundit.
Të mundesh, të dëshirosh, të dish – tri fjalë që sundojnë botën.