Çarls Dikensi ishte mjeshtër i satirës sociale, me një stil që përafron me realizmin, lëvizje të cilës i kushtoi një adhurim të veçantë. Stili i tij, megjithëse disi i ndërlikuar dhe poetik, përmban ngjyrime humori edhe në pasazhet më dramatike të romaneve, që demaskojnë realitetet e hidhura të shoqërisë dhe na portretizojnë me çiltërsi fatin e klasave shoqërore në nevojë. Veprat e Dikensit janë gjithnjë therëse, herë me humor e herë të trishtuara, po gjithnjë zbulojnë të vërteta shoqërore. Të shkruarit e Dikensit ofron komente shoqërore, duke prekur çështje që përfshijnë punën e fëmijëve, sistemin e klasave, revolucionin francez, sistemin ligjor anglez, besimin dhe jo vetëm.
Krijimtaria e Çarls Dikensit përfshin fusha të ndryshme të letërsisë: romane, vëllime me tregime, drama dhe ditarë udhëtimi, prej nga veçojmë: “Trilogjia e Londrës”, “Klubi Pikuik”, “Oliver Tuist”, “Nikolas Nikelbi”, “Dyqani i antikuarëve”, “Dombi e bijtë”, “David Koperfildi”, “Vogëlushja Dorit”, “Shpresat e mëdha”, “Kohëra të vështira”, “Ditar udhëtimesh nga Amerika”, “Ditar nga Italia” etj.
Kur u botua “David Koperfildi”, në vitin 1850, Çarls Dikens u ofroi lexuesve romanin e parë të shkruar në vetën e parë dhe, pas historisë së heroit të ri, hera-herës mund të lexojmë edhe historinë e autorit. Mirëpo, ajo çfarë përfaqësojnë kryesisht vitet e para të dhimbshme, përballja me jetën e vështirë në fabrikë, më pas arratisja dhe bredhërimi aventuresk i të riut Koperfild, është një roman formues, ku personazhi formëson biografinë e vet. Më pas, nuk mund të themi me siguri, nëse evokimi i të vërtetës është ajo çfarë ka përjetuar fëmija në të tashmen, apo i rrituri e riviziton në të kaluarën, pasi, provë pas prove, hasim një imazh të ri që rrëfimtari e rindërton gradualisht, para se, në fund të librit, të shndërrohet në një shkrimtar të ngjashëm me atë që, në fillim, mori përsipër të tregojë historinë e jetës së tij – për të na ofruar atë që vijon të mbetet në ditët e sotme romani më i madh anglez i shekullit të 19-të.
Historia ndjek jetën e David Koperfildit, nga fëmijëria deri në moshën madhore. Davidi lindi gjashtë muaj pas vdekjes së të atit. Vitet e para të fëmijërisë i kaloi në lumturi, pranë nënës së dashur dhe kujdestares zemërmirë, Klara Pegoti. Jeta është e lumtur për Davidin, derisa e ëma vendos të martohet me zotin Mërdston, pasi këtu jeta e tij merr rrokopujën dhe bëhet e padurueshme. E largojnë nga shtëpia dhe e fusin në një shkollë me konvikt…
“David Koperfilidi” nuk është historia melankolike e një fëmije fatkeq, është historia e një njeriu që nuk mundi të shkëputej nga fëmijëria, mbeti i fiksuar pas saj, deri në atë pikë sa nuk e lejonte të rritej.
Novela, romane, pjesë teatri, triller ose romane realiste, Çarls Dikensi njihet për cilësinë e personazheve dhe prozën piktoreske. Vdiq i pasur dhe i famshëm, në moshën 58-vjeçare, me personazhe karakteristike dhe të paharruara, duke e bërë atë një shkrimtar shumë të njohur dhe një figurë qendrore në letërsinë e shekullit XIX.
“Bëjini të qeshin, bëjini të qajnë, bëjini të presin”, ishte motoja e Dikensit dhe metoda e të shkruarit të tij. Teknikat e përdorura në përmbushjen e kësaj metode zbërthehen me kujdes, pasi ishin pjesë përbërëse e punës së tregimtarit mjeshtër. Në të vërtetë, qëllimi i kritikës së Dikensit është t’i bëjë njerëzit jo vetëm të njihen me problemet e shoqërisë, por edhe të përballen me këto probleme. Megjithatë, ai nuk është revolucionar, ai thjesht dëshiron që njerëzit të kenë më shumë mirësi në zemrat e tyre.