Dhe pa atë trëndafilin në zemrën e tij, pa emrin e ëmbël të Priskës, pa kujtimin e saj të skalitur në tërë trupin e tij, pa praninë e saj në shpirt, në lëkurë, në vetëdije, në rropullitë e zbrazëta, ai ende nuk do të ishte zgjuar plotësisht.
Tregimet e shkurtra ilustrojnë gjallërisht dy temat: të dashurisë dhe vdekjes. Fantazia ndjek realitetin dhe realiteti ndjek fantazinë. Qoftë vdekja e Simon Magusit, i revoltuar kundër hierarkisë njerëzore dhe hyjnore, biografia e një njeriu të zakonshëm në Jugosllavi, i rrëfyer në një enciklopedi makthi, varrimi i madh i një miku… të gjitha kombinuar në kohë dhe vende të ndryshme, fantastikja, erudicioni, lirizmi dhe ironia, mbështesin shkëlqyeshëm rezonancat metafizike të kësaj enciklopedie shumë të veçantë. Tejet e veçantë, krijimtaria e Danilo Kish luhatet përherë midis përpjekjes për një realizëm dhe një arti delikat të kundërvënies imagjinare, ironike, ndonjëherë edhe absurde. Dëshmitar i realitetit kompleks danubian dhe jugosllav, Danilo Kish ishte përkthyes dhe shkrimtar i madh.
“Enciklopedia e të vdekurve” është një libër me mijëra vëllime, ku lejohen vetëm hyrjet që kanë të bëjnë me njerëz që nuk figurojnë në asnjë enciklopedi tjetër. Kjo do të thotë një masë e pamasë e të panjohurës, që e gjen veten të rrëfyer në një “amalgamë të jashtëzakonshme të koncizitetit enciklopedik dhe elokuencës biblike”. Vepër fantastike, por që ka një homolog të keq në realitet: pranë Solt-Lejk-Sitit, në tunele të gërmuara në shkëmb, të dhënat e më shumë se tetëmbëdhjetë miliardë njerëzve mbahen nga marmonët. Një vepër e përjetshme, ku tregohet me hollësi jeta e atyre që nuk kanë hyrë në histori. Çdo jetë njerëzore është një luftë për të kujtuar atë paraprijësen, megjithatë e kundërta mund të duket e vërtetë. Vdekja vjen, përgjatë rrugës së njohur që të gjithë marrin për të shkuar në shtëpi çdo natë, dhe për të ajo rrugë është një rrugë e panjohur. Qeniet njerëzore janë ata që kanë kujtesë, ata që kultivojnë kujtesën. Sa i përket vdekjes, ajo është një gjuhë e papërkthyeshme që hap letrat.
Për Librin e të vdekurve, historia është një shumësi fatesh njerëzore, një bashkim ngjarjesh jetëshkurtra. Ja përse, aty gjenden të përshkruara çdo gjest, çdo mendim, çdo frymë krijuese, çdo lartësi e regjistruar, çdo lopatë me baltë, çdo lëkundje që ka zhvendosur një tullë nga muret në rrënim.
Për më tepër lexoni librin e plotë këtu