Titulli luan rol vendimtar në kapjen dhe përcjelljen e thelbit të tekstit, shpesh duke përmbledhur temat qendrore, narrativën ose mesazhin. Titujt vishen me kuptime të dyfishta, ndikuar nga nuancat gjuhësore ose huazuar nga tekste të tjera, për të krijuar shtresa intertekstualiteti. Domethënia e titullit të një libri mund t’iu lërë me një tjetër përshtypje të historisë. Frencis S. Fitzxherald e përfundoi romanin “Getsbi i Madh” brenda një viti, diçka e pazakontë për të, pasi ishte shkrimtar i famshëm i avashtë. Skllav i perfeksionit, që i buronte nga pasiguria, përkeqësuar si rezultat i abuzimit me alkoolin, ai mendonte ditë të tëra për një fjali të vetme. “Nuk mund ta lë të dalë jashtë, nëse nuk ka më të mirën për të cilën unë jam në gjendje të bëj”, – i tha një herë redaktorit, “madje, siç ndihem ndonjëherë, diçka më të mirë se ç’jam i aftë”. E vetmja gjë me të cilën Fitzxherald luftoi vërtet ishte titulli. Autori ishte i vetëdijshëm, se një titull i mirë kap thelbin dhe i jep kuptim gjithë tekstit. Titujt vijnë në të gjitha format dhe madhësitë: disa janë përshkrues, të tjerë poetikë, disa janë të drejtpërdrejtë, ndërsa të tjerët përmbajnë ende një kuptim të fshehtë, më të thellë që, pasi të zbulohet, mund të ndryshojë në mënyrë drastike përshtypjen që një tekst lë tek lexuesit e vet.
Titulli i opusit magnum prej 1200 faqesh të Lev Tolstoit, i cili ndjek një grup fisnikësh rusë në luftërat napoleonike, nuk i lë shumë hapësirë imagjinatës. Megjithatë, ky nuk është rasti në origjinal, pasi fjala ruse për “paqe” (mir) do të thotë gjithashtu “botë”. Si rezultat, “Voina i mir” mund të përkthehet si “luftë dhe botë”, më konkretisht “luftë dhe shoqëri”, duke vënë në pikëpyetje dikotominë e konfliktit dhe bashkëpunimit që kaq shumë kritikë perëndimorë kanë përdorur për t’i dhënë kuptim romanit. Synimi i Tolstoit ka qenë prej kohësh një temë debati. Njerëzit që besojnë se titulli është keqinterpretuar, fajësojnë bolshevikët, ngatërrimi i të cilëve me alfabetin rus bëri që fjalë si mir, që do të thotë “shoqëri”, të dalin jashtë përdorimit. Njerëzit që besojnë se ishte menduar gjithmonë të ishte “Lufta dhe Paqja”, vërejnë se Tolstoi, i cili ishte shumëgjuhësh, nuk i kundërshtoi përkthimet e huaja të veprës së tij, siç është përkthimi frëngjisht: “La guerre et la paix”. Sipas gjasave, autori ka qenë i vetëdijshëm dhe pranues i të dy interpretimeve.
“Më e mira e botëve” nga Aldous Huxley
Të shumtë janë titujt që janë huazuar nga tekste të tjera, shpesh vepra monumentale nga e kaluara e largët. I tillë është edhe rasti i distopianit “Më e mira e botëve”, me origjinë nga vargu i dramës së Uilljam Shekspirit “Stuhia”, shqiptuar nga personazhi i Mirandës në Aktin V Skena I. Miranda u rrit e izoluar në një ishull me babanë, Prospero. Fjalët e saj shprehin entuziazmin për takimin më në fund me njerëz të tjerë, megjithëse i tradhtojnë optimizmin naiv për natyrën e njerëzimit. Huxley e pasqyron këtë optimizëm tek protagonisti, Xhon, një i egër që merret nga një rezervat dhe futet në një shoqëri, që në pamje të parë duket utopike, por në të vërtetë sundohet nga një regjim autoritar që i klasifikon subjektet që në lindje dhe i detyron ata të marrin një drogë ndrydhëse të libidos e quajtur “soma”.
“Bashkë me erën” nga Margaret Mitchell
“Bashkë me erën” përshkruan vajzën e një pronari plantacioni, që lufton për të rifituar pasurinë dhe statusin e familjes pas Luftës Civile Amerikane. Romani, i cili është lavdëruar dhe kritikuar në mënyrë alternative për mënyrën se si e romantizon jugun skllavopronar, kaloi nëpër një sërë titujsh, përfshi “Nesër është një ditë tjetër” , “E pashkruar në yje”… “Bashkë me erën” ngjall nostalgji për mënyrën e jetesës që u zhduk pas Marshimit të Shermanit përmes Gjeorgjisë, një fushatë ushtarake që synonte shkatërrimin e infrastrukturës dhe burimet e shtetit jugor. Autori e mori frazën nga poema viktoriane e Ernest Dowson e vitit 1894 “Non Sum Qualis Eram Bonae Sub Regno Cynarae”, marrë nga një poezi e Horacit: “Unë nuk jam siç isha nën mbretërimin e Cynaras të mirë”, Cynara në fjalë është ish zonja e poetit romak.
“Zemra e një qeni” nga Mihail Bulgakov
Secili prej titujve të lartpërmendur përmbledh mesazhin ose argumentin e teksteve përkatëse në disa fjalë, pra “Zemra e një qeni” nuk bën përjashtim. E shkruar në vitin 1925, por e censuruar në Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1987, historia ka të bëjë me një kirurg që sharton një gjëndër hipofize njerëzore dhe testikuj në një qen endacak, duke e bërë atë të shndërrohet nga një kafshë në një njeri që nuk sillet aspak si synonte krijuesi i tij të sillej, duke iu shmangur higjienës personale dhe, më vonë, duke pranuar një punë nëpërmjet Partisë Komuniste. Përveç kritikës së eugjenisë, një pseudoshkencë që i interesonte Kremlinit dhe që do të çohej në ekstrem nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore, “Zemra e një qeni” parodizon nocionin se BRSS-ja mund t’i transformonte qytetarët e saj nga qytetarë borgjezë të interesuar vetëm për interesa private në një specie të re njerëzore: njeriu sovjetik ose homo sovieticus, i cili përputhet me kontrollin e qeverisë dhe punon pa u lodhur për të mirën e kolektivit. Ashtu siç dështon eksperimenti i kirurgut, po ashtu dështon ai i Kremlinit.