Ishte 12 maj 1897, e mërkurë, kur Rainer Maria Rilke dhe Lu Andreas Salome u takuan në Mynih, në sallonin e mikut të përbashkët, romancierit Jakob Vaserman. Rilke ishte një poet njëzetedyvjeçar në kërkim të profesionit, ndërsa Lou një shkrimtare kozmopolite tridhjetë e gjashtëvjeçare, e martuar me Fridrih Karl Andreas, e njohur në Evropë pasi iu kërkua të martohej me Fridrih Niçen, si dhe për disa vepra letrare. Ishte një grua e kulturuar, magjepsëse dhe jokonformiste, me intuitë të jashtëzakonshme intelektuale dhe emocionale. E saja qe një ekzistencë plot dashuri, poezi dhe punë. Në vitin 1911, ajo iu bashkua psikoanalizës, për të cilën ishte një nga mbështetësit e parë dhe më të shkëlqyer. Frojdi, që lidhej me Lunzë nga një miqësi e madhe, në nekrologjinë e tij e përshkroi si personazhin e heshtjes, kujdestare të një të ashtuquajture njohuri “stërgjyshore”, mbi konfliktet: “Ajo nuk foli kurrë për krijimet e saj poetike dhe letrare (…) Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, modeste dhe maturi të rrallë (…) ajo e dinte mirë se ku të kërkonte vlerat e vërteta të jetës (… ) kushdo që i afrohej mori një përshtypje shumë të fortë të autenticitetit dhe harmonisë së natyrës së saj dhe mund të pohonte, jo pa habi, se të gjitha dobësitë femërore, ndoshta shumica e dobësive njerëzore, ishin të huaja për të ose ishin kapërcyer prej saj në rrjedhën e ekzistencës”.
Mbrëmjen e 12 majit, Lu i la përshtypje të thellë Rilkes. Një ditë pasi u takuan, ai i shkroi një letër, ku i thoshte se nuk ishte hera e parë që kishte gëzimin të kalonte një orë muzg në shoqërinë e saj: disa muaj më parë ai kishte pasur mundësinë të lexonte esenë: “Jezusi çifut”, që kishte qenë një zbulesë e vërtetë për të, pasi në të Lu ishte në gjendje të shprehte me forcë atë që ishte përpjekur të thoshte në ciklin poetik “Vizionet e Krishtit”. Pse Lu kishte refuzuar burrat e pjekur dhe tani kishte konceptuar një bashkim intim, si dhe shpirtëror, me Rilken e ri? Mbase, ngaqë ai kishte një ndjeshmëri kaq të thellë, pothuajse femërore? Rainer ishte i brishtë dhe i pari që e përfundoi në mënyrë të përsosur, do të shkruajë ajo në “Kujtime”. Në vijim, me Frojdin, Lu iu kthye reflektimit mbi këtë mister që kishte rrënjë të thella në pavetëdijen e saj dhe, si i tillë, i pakapërcyeshëm me arsyen. Rilke ishte vërtet një udhëkryq në jetën e saj, dhe anasjelltas, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Lu ishte personi që më shumë se kushdo tjetër shënoi rrugën ekzistenciale dhe artistike të Rilkes. Ishte një dashuri e madhe, dhe jo vetëm: mikja e madhe, e dashura, muza, e besuara, mësuesja. Sigurisht, Lu ishte (edhe) një figurë nëne për Rilkes, ajo lejoi rilindjen e tij të vërtetë, një shkëputje me mjedisin provincial të Pragës, me sentimentalitetin dhe përkushtimin e ekzagjeruar të së ëmës, Fia Rilke. Lu i ofroi materiale filozofike dhe estetike, e inicioi të lexonte Niçen, e njohu me elitën intelektuale evropiane. Për çështjet fetare dhe filozofike, që i ishin shumë afër zemrës, Lu gjeti te Rilke një bashkëbisedues të përgatitur, me të cilin do të dialogonte në kushte të barabarta. Të dy e donin Biblën, veçanërisht Testamentin e Vjetër, dhe Rilke shpesh i lexonte pjesë nga “Kantika e këngëve”, duke e quajtur atë “motra ime, nusja ime”.
Për ty jam si një prelud
dhe buzëqesh lehtas kur gabon;
E di që nga vetmia
ti ecën drejt një lumturie të madhe
dhe do të gjesh duart e mia.
Me ty do të kapërcej të përditshmen
dhe këshillat e mia do të mësojnë të kuptosh
vlerat e thella të fateve të përbashkëta
dhe kjo do të thotë: në çdo trëndafil të vogël
të shohësh lindjen e pranverës së madhe.
Korrespondenca e tyre është dëshmi e një dimensioni krijues të dashurisë: takimi është i thellë dhe dërrmues, ai kridhet në një mirëkuptim të ndërsjellë, që ushqehet me intuitë, ndjeshmëri, gjenialitet. Rilke shprehet me një gjuhë, ku takti dhe ndjeshmëria tejkalohen vetëm nga pesha e kuptimeve dhe nga vlera e ndjenjave që ato mbajnë. Të dish se “nga vetmia shkon drejt një lumturie që është e madhe” sugjeron një lumturi të parë nga jashtë, me qartësi, si një vëzhgues që, i pozicionuar lart, e kupton trajektoren e varkës që ecën drejt shumë më mirë se timonieri. Mund të shprehim keqardhje, nderim ose gëzim për këtë korrespondencë midis Lu Andreas Salome dhe Rainer Maria Rilkes, sipas imazheve që kishim për njërin dhe tjetrin përpara hapjes.
Për Niçen ajo ishte “personi më inteligjent që kam njohur ndonjëherë”, trashëgimtarja e përsosur e filozofisë: “toka bujqësore më e mirë dhe më e frytshme” për idetë e tij. Për poetin Rainer Maria Rilke, ajo ishte një “grua e jashtëzakonshme”, pa ndikimin e së cilës “i gjithë zhvillimi im nuk mund të kishte marrë rrugët që më çuan në shumë gjëra”, ndërsa për babanë e psikanalizës Sigmund Frojdin, ajo ishte “një qenie e kuptuar par excellence”. Sado të papajtueshme, të pakta janë gratë që janë përpjekur kaq shumë për të shmangur përkufizimet nga burrat në jetën e tyre si Lu Andreas Salome.